Përdersia Ukraina ka ratifikuar marrëveshjen historike për mineralet me ShBA-në, Rusia dhe vetë Ukraina kanë raportuar për sulme të vazhdushme ndaj njëra-tjetrës, qysh në ditën e parë të armëpushimit të njëanshëm rus.
Ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha e ka akuzuar akuzoi Rusinë se “e ka shkelur armëpushimin e saj 734 herë”, duke e quajtur këtë armëpushim një “farsë”.
Kujtojmë se armëpushimi i njëanshëm rus përkon me festën më të madhe laike të Rusisë, 80-vjetorin e fitores ndaj Gjermanisë naziste. E derisa festa në Moskë ka filluar, presidenti rus Vladimir Putin ka zhvilluar bisedime me liderin kinez Xi Jinping, të cilin e ka përshkruar si “mysafirin kryesor”.
Putin poashtu ka pritur në festë liderë të tjerë të huaj duke organizuar një darkë gala – përpjekje kjo për të shfaqur ndikimin global të Rusisë – shkruan AP, transmeton Express.
Ndërkohë, kujtojmë se ratifikimi i marrëveshjes për mineralet nga parlamenti ukrainas shënoi një hap kyç në marrëdhëniet e vendit me ShBA-në, pasi me anë të saj Uashingtonit do t’i lejohet të ketë qasje në mineralet kryesisht të pashfrytëzuara të Ukrainës, do të thellohen lidhjet strategjike dhe do të krijohet një fond i përbashkët investimi me ShBA-në për rindërtimin e Ukrainës.