Një fëmijë 5-vjeçar është pranuar në Klinikën e Torakales në QKUK, pasi u sulmua dhe u tërhoq zvarrë (sipas familjarëve), disa metra nga një ujk. Drejtori i klinikës, mjeku Nazmi Kolgeci, ka dhënë detaje në emisionin “Kosova Live’’ për gjendjen shëndetësore të tij.
“Fëmija ka lëndime në gjoks dhe shpinë. Janë lëndime të kafshimit të shkaktuara nga ujku. Pacienti është trajtuar menjëherë, i janë bërë imazheritë për vlerësim të gjendjes dhe është transferuar për trajtim të mëtejshëm në klinikën tonë. Ai do të qëndrojë nën observim rreth një javë,” deklaroi Kolgeci.
Sipas tij, ky është rasti i parë i tillë i raportuar në Klinikën e Torakales, pasi deri më tani kanë pasur raste kafshimesh nga qen ose kafshë të tjera, por jo nga ujku.
Mjeku theksoi se është bërë vaksinimi i nevojshëm sipas protokollit, ndërsa është njoftuar edhe psikologu klinik për të ndjekur aspektin emocional të fëmijës. “Trauma është e pashmangshme, megjithatë duke qenë shumë i vogël, nuk duket i traumatizuar rëndë. Do të vazhdojmë trajtimin në të gjitha aspektet,” tha Kolgeci.
Detajet nga intervista me mjekun i gjeni në videon poshtë: