UEFA e ka publikuar doracakun e plotë për shortin e fazës së grupeve të Ligës së Kombeve, që do të mbahet të shtunën në orën 18:00 në Bukuresht. Përmes këtij doracaku është konfirmuar se Kosova mund të radhitet vetëm në Grupin C ose në atë F.
Kosova s’e arriti kualifikimin direkt në Kampionatin Evropian 2020 përmes Grupit A, pasi që mbeti në pozitën e tretë, prapa fitueses së grupit Anglisë dhe Çekisë, raporton Gazeta Express.
Megjithatë, ëndrra e Kosovës nuk u mbyll me kaq. Dardanët kanë mundësi të kualifikohen në këtë kampionat përmes play-offs, ku në gjysmëfinale do të luajnë kundër Maqedonisë, ndërsa në finale i pret ose Gjeorgjia, ose Bjellorusia.
Po ta arrijë finalen dhe ta fitojë atë, Kosova do të kualifikohet në EURO 2020, ku tashmë është bërë e ditur se mund të radhitet vetëm në Grupin C ose në atë F. Se në cilin grup do të mund të luajnë djemtë e Bernard Challandes do të mësohet nesër përmes shortit.
Tashmë në Grupin C është e ditur se do të luajnë Ukraina dhe Holanda, ndërsa ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen në Amsterdam dhe në Bukuresht. Përveç Kosovës ose kundërshtarëve të saj në play-offs, në këtë grup do të radhitet edhe njëra nga: Portugalia, Turqia, Austria, Suedia dhe Çekia.
Ndërsa në grupin F është e radhitur deri më tani vetëm Gjermania dhe ndeshjet do të zhvillohen në Bilbao dhe në Dublin. Përveç Kosovës (si fituese e mundshme e play-offs D) ose fituesit të play-offs A, në këtë grup mund të jenë edhe dy nga: Franca, Polonia, Zvicra, Kroacia, Portugalia, Turqia, Austria, Suedia dhe Çekia. /Gazeta Express/