UEFA e ka hapur zyrtarisht një hetim disiplinor pas akuzave për sjellje diskriminuese të raportuara gjatë ndeshjes së Champions League mes Benficas dhe Real Madridit.
Episodi ka të bëjë me sulmuesin brazilian Vinícius Júnior, i cili pretendon se është përballur me komente të papërshtatshme me natyrë diskriminuese gjatë takimit.
Sipas raportimeve, incidenti ndodhi pas një momenti tensioni në fushë, ndërsa lojtari reagoi menjëherë duke e njoftuar gjyqtarin.
Pas përfundimit të ndeshjes, UEFA konfirmoi se e ka emëruar një Inspektor të Çështjeve Etike dhe Disiplinore për t’i analizuar raportet zyrtare, pamjet filmike dhe çdo provë tjetër relevante për rastin.
Nga ana tjetër, Benfica e ka mohuar kategorikisht çdo akuzë për sjellje raciste, duke theksuar se bëhet fjalë për një keqkuptim gjatë një momenti të tensionuar loje.
Rasti e ka rikthyer edhe një herë në qendër të vëmendjes çështjen e racizmit në futbollin evropian, ndërsa vendimi përfundimtar i UEFA-s pritet pas përfundimit të hetimeve. /Gazeta Express