Udhëzime për shami - Gazeta Express
string(18) "udhezime-per-shami"

Udhëzime për shami

OP/ED

Gazeta Express

04/04/2022 15:33

Nëse një drejtoreshë dhe familja e saj e kërcënuar dhe rrezikuar ikën nga vendi i punës dhe jetesës, e braktisur dhe injoruar nga autoritetet, kjo nënkupton se respektimi i ligjit si parim i palëkundshëm nuk është asgjë tjetër pos një aventurë prej syleshi

Arben Idrizi

Lexo Edhe:

Ka disa ditë që drejtoresha e Shkollës së Mesme Teknike “Nexhmedin Nixha” në Gjakovë, Florentina Gjergjaj, është duke u sharë, fyer e poshtëruar, në rrjete sociale e më gjerë, nga një ushtri e tërë personash, për shkak të insistimit të saj që në ambientet shkollore të respektohen disa rregulla të caktuara, e ndër to edhe një udhëzim administrativ që ndalon bartjen e shamisë në shkollë.

Siç ndodh shumë herë në raste të këtilla, këta persona i japin vetes gjithë lirinë e paanë të shprehin mllefin, pakënaqësinë, kundërshtimin, por mbi të gjitha – dhe dua ta nënvizoj këtë – urrejtjen dhe injorancën në mënyrën më të pështirë, të neveritshme dhe të paligjshme.

Zjarri merr zjarr sidomos kur nuk ka pastaj asnjë autoritet kompetent që të ndërhyjë për të sqaruar dhe mbrojtur. Do të thotë, kur asnjë autoritet kompetent nuk e merr mundin ta ushtrojë detyrën për të cilën është i thirrur. Ngase, në këtë rast – gjëja e parë që na e thotë arsyeja është se – Ministria e Arsimit do të duhej të ndërhynte për të sqaruar vlerën dhe fuqinë e udhëzimit administrativ. Me fjalë të tjera, edhe pozicionimin e saj në raport me ligjin dhe rendin. Për rrjedhojë, organet e tjera për ta mbrojtur drejtoreshën, ose, në rast të shkeljeve nga ana e saj, për të marrë masa përkatëse ndaj saj. Duke qenë se udhëzimi është në fuqi, s’ka si të ketë shkelja nga ana e saj. Do të ishte jo logjike. Për aq sa është jo logjik mosreagimi i autoriteteve kompetente.

Me gjasë, për partinë në pushtet mosreagimi është një reagim i paramenduar; heshtja e tyre e errët është e folur e tyre e zëshme e qartë. Sidomos duke e pasur parasysh se një prej premtimeve të tyre para ardhjes në pushtet ka qenë ndryshimi i këtij udhëzimi, duke e lejuar bartjen e shamisë në shkolla prej moshës 16 vjeçare. Ka qenë, për mendimin tim, një flirtim i turpshëm në kurriz të laicitetit dhe, me gjasë, do të përfundojë të jetë një veprim i turpshëm kundër laicitetit pikërisht nga një subjekt politik që ideologjikisht pritej të ishte një mbrojtës solid i tij.

Edhe më i çuditshëm është mosreagimi i presidentes së vendit. Me sa duket, lartësia në të cilën është rehatuar i ka shkaktuar fobi për qeniet e mjera poshtë; për çka e ekzalton të dërdëllisë për carin lart, por nuk e denjon për një fjalë të vetme të gjorën drejtoreshë të një shkolle poshtë.

Shkoj me mendjen se braktisja në fatin e vet e një qytetari në nevojë dhe në këtë rast e një personi që bart një post me domethënie të veçantë, si drejtoresha e shkollës, bart pasoja të shumta dhe kohëgjata, së pari për viktimën e drejtpërdrejtë e pastaj edhe për vetë shoqërinë.

S’ka asnjë dyshim se përderisa ka një udhëzim në fuqi dhe pak drejtues institucionesh që do të jenë të gatshëm dhe do të duan ta respektojnë atë, fatkeqësisht do të ketë edhe reagime të tilla pakënaqësie të pakontrolluar, urrejtjeje dhe poshtërimi.

Për këtë arsye, heshtja e autoriteteve ligjore hap rrugë të pakëndshme dhe të padëshiruara.

Nga njëra anë i hap rrugë hezitimit të drejtuesve të institucioneve ta respektojnë udhëzimin (jo vetëm njërin konkret, por edhe shumë të tjerë) dhe nga ana tjetër, i hap rrugë fushore shfrenimit shoqëror, që kulmon me fyerje, sharje, kërcënime e keqtrajtime të secilit person të vetëm dhe të pambrojtur që merr rrezikun në sy ta respektojë ligjin.

Nuk dua të them se këta pak njerëz që marrin në sy rrezikun të respektojnë ligjin duhet të mbilartësohen, por të paktën duhet të mbrohen dhe vlerësohen kur rrezikohen nga të tjerët për atë që bëjnë.  

Nëse një drejtoreshë dhe familja e saj e kërcënuar dhe rrezikuar ikën nga vendi i punës dhe jetesës, e braktisur dhe injoruar nga autoritetet, nënkupton se respektimi i ligjit si parim i palëkundshëm nuk është asgjë tjetër pos një aventurë prej syleshi. Kur katandisemi në këtë derexhe, atëherë do të thotë se kemi përfunduar në gjendjen kur vajzat në shkollën fillore do të bartin mbulesë, e në shkollën e mesme s’do të ketë nevojë më, sepse në të vërtetë në shkollën e mesme s’do të kenë të drejtë të shkojnë fare; ngase në kohën e shkollës së mesme veç do të jenë të martuara me atë që ia begenisur dikush tjetër.