UDHËTIM RRETH KOSOVËS PËR TETËDHJETË DITË - Gazeta Express
string(41) "udhetim-rreth-kosoves-per-tetedhjete-dite"

Gazeta Express

05/09/2020 15:53

UDHËTIM RRETH KOSOVËS PËR TETËDHJETË DITË

Gazeta Express

05/09/2020 15:53

(Ese për Agim Vincën dhe librin e tij më të ri)   

Fatmir Musai

Lexo Edhe:

      Agim Vincën, struganin autentik e nostalgjik dhe profesorin e sotëm të pavlerësuar në përmasat e duhura të dukshme, e kam dëgjuar e lexuar diçka vite e vite më parë, kur i ndjeri, Koçi Petriti, krejt pasion më jepte verdiktin e vet: Pas Rexhep Qoses, në Kosovë, për letërsinë, vjen Agim Vinca!

      Vitet rrodhën dhe hera e desh që të më binte në dorë libri i tij më i fundit, “Ditari i pandemisë. Rrëfime nga karantina”. 80 ditë përditshmëri kronikale në formë e jo në përmbajtje, se si një personalitet i heshtur e modest si ai e përjeton këtë gjëmë globale, gjithnjë në ndërlidhje me qenien e vet si qytetar i angazhuar, si njeri familjar, si prind e si gjysh, si shkrimtar e analist e euridit,  si qytetar i botës, si… e çfarë të duash ti, lexues! (Tirada e epiteteve do të ishte e gjatë). Gjithçka e tejdukshme nën mantelin e ankthshëm të Koronës!

    Si i përjeton, çfarë bën e me çfarë merret një intelektual i kalibrit të tij, këto ditë të stërzgjatura pandemie?… Vinca nuk shkruan ç’t’i vijë në mendje a ç’t’i dalë përpara, po, brenda përditshmërisë ai qëmton ato detaje e ngjarje që ia pranon optika e vet konceptuale: Jemi në kapërcyell të dy epokave, para e pas Koronës… si në atë para e pas erës sonë!

     Ai vetë është boshti e strumbullari, protagonisti i gjithçkaje, që merr e jep e interferon e absorbon gjithçka, që nga lagja e vet në Prishtinë e rrethinat e njerëzit e zakonshëm; te Flutura, (e shoqja) e fëmijët e nipër e mbesa të shpërndarë gjithandej; ndërlidhje telefonike me emra të njohur e publikë bëhen pjesë e një tabloje më madhe të flamës Kovid-19; rikujtime të jetës së tij, që nga fëmijëria e deri te burgjet e Serbisë; kronika televizive e info nga gjithë bota për bëmat e pandemisë, duke filluar nga Prishtina e Kosova, Maqedonia, Shqipëria e në krejt hapsirën shqiptare; asosacione me vepra të shkrimtarëve botërorë e pandemi të hershme të globit; përshkallëzime vëmendjeje të ndërthurura kronologjikisht… gjithçka që mund të hamendësoni ju, të gjitha i gjeni aty!

     Ҫka thamë, është Pandemia e parë-kornizë, që krijon gjendjen e ankthit e makthit te libri. Po ka dhe një “pandemi” tjetër të nënkuptuar kudo, më tragjike se e para: Pandemia e sherreve e gërrmërreve politike të pafundta që ta hanë mëlçinë, madje, Virusin e shfrytëzojnë si trampolinë në emër të patriotizmit e lirisë, po që në thelb kanë etjen për pushtet e që s’ndalen edhe në kushte pandemie.

     Agim Vinca është qytetar, intelektual e personalitet i angazhuar! Qartazi analizon e ngre gishtin, akuzon edhe me emra! Paradoks historik e global e konsideron rrëzimin e qeverisë Kurti në këtë kohë pandemie, kur “Stambolli digjet e kurva krihet”! Kjo është kryengjarja e këtyre ditëve pandemike. Ajo e infektoi me virusin e marrjes së pushtetit edhe politikën. Autori është vërejtës i hollë e analizues i thellë i politikës kosovare. Është konkret dhe e thotë troç atë që mendon, me lakonizmin e të shprehurit dhe sjelljen telegrafike të ngjarjeve të përditshmërisë, të cilat më pas, papritur dhe atje ku s’ta rrok mendja, pena e tij kalon në deduksione të përmasave të mëdha në kohë e hapësirë, të të gjitha dijeve njerëzore. Po nuk përton jo rrallë edhe të futet në analiza e gjykime të posaçme argumentuese!

     Janë përjetime shumëdimensionale 80-ditore, ditë pas dite, të një mendjeje të ndritur e pene të shkathët që më tepër ka koskë se sa tul, e cila s’mund të ishte e tillë pa Erudicionin e pashoq që të mahnit. Mjafton të shihni emërtimet intriguese të secilës nga 80 pjesëzat e “Ditarit…”. Dhe thua me vete: Po këto janë ese të mirëfillta letrare! Secila qëndron edhe më vete dhe së bashku përbëjnë Kronikën e mbrapshtë të këtij Udhëtimi rreth Kosovës e Botës për 80 ditë, ku intriga nuk është vjedhja e një banke, si te romani i famshëm i Zhyl Vernit (“Rreth botës për 80 ditë”) po Pandemia globale.

     Kudo has aforizma personalitetesh të dijes për situata të ngjashme, deduksione filozofike për ndërgjegjen botërore paskëtaj, meditime filozofike pafund, informacione të mirëfillta në sinkron e sintoni me idetë madhore që dëshiron të përçojë. Dhe të gjitha këto, në hostenin e mprehtë të satirës, ironisë e sarkazmës vinciane…(Gjatë leximit, thoja me vete: Mjerë ai që bëhet objekt i këtij bodeci, si te “Parlamenti jep ballo me maska”)

     Qielli epik i këtyre 80 ditëve kosovare sikur bombardohet e përshkëndritet nga një pafundësi asteroidesh që të iluminojnë në muzgun e një tragjedie të pakohë, me bukurinë e intrigën e rrëfimit… me talentin e një polemisti që të mbërthen e asgjëson me argumentin e paskaj… dhe në vetvete ndjen e përjeton katharsisin e dhembshur, për t’i larguar sa më parë këto mbrapshti të botës dhe të dyfishta për shqiptarët! Si te poezia e Dritëroit:

“U këput një yll e ra,

Në mes të detit, tej në errësirë…

–  Vëllezërit e përzunë- gjyshja tha,

–  Se s’ish për ta vëlla e shok i mirë!”.

      … Ky libër është njëkohësisht dhe Autoportret i autorit, biografi shpirtërore e tij… dhe ai e bën në një kohë kur shumëkush qan hallin e kokën e tij ose, aq më keq, kërkon të përfitojë nga mbrapshtia e saj… Po Vinca, si në tërë jetën e tij, edhe këtë herë shfaqet dinjitoz e luftëtar, euridit e mendimtar, qytetar e Njeri, atëherë kur Kosovës e më gjerë, i duhet më shumë mendja e potenca e tij!

      … Duke i mbyllur këto mbresa e përjetime për këtë libër më të fundit të Agim Vincës, vërej se, çuditërisht, askund nuk i kam vënë fjalën “Prof.” para emrit! Dhe paskam bërë mirë. Ai s’ka nevojë për fjalë e grada të tilla që rëndom sot janë bërë si para kallp.

     … Dhe sërish them me vete: Paske patur të drejtë, o Koçi Petriti, për atë vlerësim elitar, qyshkur, të Agim Vincës së madh, në atë trup modest!