UÇK’ja është vlerë. Për të tjerat flasim - Gazeta Express
string(38) "uckja-eshte-vlere-per-te-tjerat-flasim"

UÇK’ja është vlerë. Për të tjerat flasim

Gazeta Express

06/11/2020 17:35

Gjykatën Speciale duhet parë si mundësi për ta dëshmuar të kundërtën e pretendimeve të ngritura në aktakuza. Nëse qëllimi është që të arrihet tek e vërteta, atëherë nuk duhet pasur frikë nga ajo. Një është e sigurt: UÇK’ja është vlerë. Për gjitha të tjerat duhet folur haptas dhe zëshëm

Imer Mushkolaj    

Lexo Edhe:

Janë rikthyer edhe njëherë sentimenti dhe debati për luftën pas udhëtimit për Hagë të katër prej figurave kryesore të UÇK’së. Janë rikthyer edhe qëndrimet për dhe kundër veprimeve të Gjykatës Speciale, në kohën kur në Hagë gjendet hiç më pak se presidenti i vendit.

Që në krye të herës duhet bërë e qartë, duke e thënë e stërthënë, përsëritur e stërpërsëritur: UÇK’ja është vlerë. UÇK’ja është vlera më sublime e shqiptarëve. Nëse ka të atillë që nuk pajtohen me këtë, atëherë ata kanë problem të madh. Së pari me veten.

Së dyti, duhet folur haptas dhe zëshëm për ato që mund të kenë ndodhur gjatë luftës. Jo në raport me forcat militare e paramiltare të Serbisë, por në raport me tonët.

Së treti, duhet folur haptas dhe zëshëm për ato që kanë ndodhur pas luftës, për vrasje me motive politike. Për keqpërdorim të UÇK’së, duke kryer veprime të pahijshme. Për gjithçka që nuk ka të bëjë me luftën e drejtë, luftën për çlirim.

Kur Gjykata Speciale u themelua, ajo u votua në Kuvendin e Kosovës me idenë që të zbardhet e vërteta – në radhë të parë “të vërtetat” e ngritura nga senatori Dick Marty. Por, në aktakuzën e ngritur kundër katërshes së UÇK’së askund nuk figurojnë pretendimet e Martyt për trafikim organesh.

Aktakuza përmban plot vepra të tjera, që prokuroria pretendon të jenë kryer nga të akuzuarit, por jo trafikimin e organeve. Kjo lë të kuptohet se raporti i Martyt ishte vetëm alibi për të themeluar një gjykatë që do t’i gjykojë krimet e pretenduara nga pjesëtarët e UÇK’së, e sipas aktakuzës bash nga të gjithë – që nga rangjet më të larta, deri te më të ulëtat. Të gjitha akuzat mbetet të provohen dhe njerëzit e UÇK’së duhet të kontribuojnë për të arritur tek e vërteta. Nëse ky është qëllimi, atëherë nga e vërteta nuk duhet pasur frikë.

“Ky proces ka për qëllim të arrijë tek e vërteta. Nuk ka asnjë arsye për të pasur frikë nga e vërteta. Specialen s’e shoh si fyerje, por si mundësi për t’iu dhënë fund thashethemeve”, tha Kadri Veseli në deklaratën e tij, para se të niset drejt Hagës.

* * *

Nuk ka qenë e lehtë aspak, që në një situatë okupimi të organizohet një lëvizje çlirimtare. Nuk ka qenë e lehtë që në atë amulli të krijuar ndër vite, burra e gra të organizohen për ta nisur luftën kundër një shteti. Vetëm ata që e kanë provuar e dinë sa e vështirë ka qenë.

Askujt nuk duhet t’i vijë turp nga lufta, sepse ajo u nis e u zhvillua kundër një regjimi që maltretimet, vrasjet e masakrat i kryente në mënyrë të organizuar, shtetërore. Askush nuk duhet të ndihet keq pse nuk ishte pjesë e luftës. Tekefundit, ky ishte një vendim dhe zgjedhje individuale. Por, po ashtu, askush nuk duhet të hesht për veprime të pahijshme që mund të jenë kryer gjatë dhe janë kryer pas luftës.

Shoqëria dhe shteti i Kosovës kanë dështuar të vënë drejtësi për viktimat dhe vazhdojnë të jetojnë me barrën e moszbardhjes së krimeve. Drejtësia duhet të vijë herëdokur dhe çmimi për të mund të jetë i lartë.

Gjykata Speciale u krijua pikërisht për këtë qëllim: vënien e drejtësisë në vend. Ata që e votuan në Kuvend e kanë ditur se, herët a vonë, do të vijë dita e procedimit nga ajo të njerëzve të luftës. Është naivitet të mendohet se dikush që e ka ngritur dorën për votimin e saj, të ketë shpresuar se gjykata nuk do të ndërmarrë veprime.

Unë nuk jam pajtuar me plot veprime të njerëzve të luftës, të futur në politikë. I kam kritikuar dhe vazhdoj t’i kritikoj publikisht. Por asnjëherë nuk e kam pasur në fokus luftën si të tillë.

Ata që kanë marrë armët për të luftuar forcat e regjimit të Beogradit meritojnë çdo respekt. Pikë. Nuk është e lehtë të nisesh në një rrugë, që nuk e di si do të përfundojë. Nuk e di nëse del nga ajo gjallë a vdekur.

Por, nuk meritojnë respekt ata që në emër të luftës bënë njëqind të zeza pas saj. Ata mujsharë që kapitalin e të qenit në luftë e keqpërdorën për t’u pasuruar, ata që e konsideruan veten zot të gjithçkaje.

* * *

Gjykata Speciale nuk do të ndalet. Askush nuk e di si do të përfundojnë rastet e proceduara. Por përtej interesave partiake e të tjera, një është e sigurt: UÇK’ja është vlerë. Për gjitha të tjerat duhet folur haptas dhe zëshëm.