Një video e pazakontë, ku shtatë qen shihen duke ecur së bashku në një autostradë qendrore në Kinë, ka bërë xhiron e internetit ditët e fundit, duke ngjallur reagime dhe pikëpyetje të shumta në rrjetet sociale. Pamjet janë filmuar në qytetin Changchun, në provincën Jilin, ku qentë u panë duke lëvizur të bashkuar në një rrugë të ngarkuar, pa qenë e qartë se ku po shkonin. Videoja u publikua fillimisht nga një përdorues me mbiemrin Lu në platformën kineze Douyin, duke kërkuar ndërhyrjen e autoriteteve.
Sipas raportimit të South China Morning Post, ekziston dyshimi se qentë ishin vjedhur nga persona të lidhur me industrinë e mishit të qenve dhe po transportoheshin me kamion. Megjithatë, ata dyshohet se arritën të arratisen dhe, për dy ditë, përshkuan rreth 17 kilometra për t’u kthyer në shtëpitë e tyre. Grupi përfshinte raca të ndryshme, si një bari gjerman i plagosur, korgi, retriever të artë, labrador dhe pekinez. “Duken si një grup vëllezërish të vegjël në vështirësi, që lëvizin së bashku – nuk kanë lidhje me qentë endacakë”, u shpreh Lu për mediat lokale, duke shtuar se përpjekjet e tij për t’i ndihmuar dështuan pasi qentë vazhduan rrugën pa ndalur.
Seven dogs stolen from their owners have gone viral after escaping from an illegal transport truck and making their way home.
— 𝕐o̴g̴ (@Yoda4ever) March 23, 2026
They traveled around 17 km together, led by a corgi across highways and fields, now safely back with their respective owners..🐶🐾🥺❤️ pic.twitter.com/H5VB9BQkGB
Ndërkohë, ndërsa videot u bënë virale në rrjetet sociale kineze, vullnetarë dhe dashamirës të kafshëve ndoqën lëvizjet e tyre dhe kontribuuan që qentë të riktheheshin të sigurt në shtëpi. Organizata Bitter Coffee Stray Dog Base konfirmoi se të shtatë qentë vinin nga i njëjti fshat dhe njiheshin me njëri-tjetrin, çka shpjegon edhe faktin pse qëndruan bashkë gjatë gjithë rrugëtimit.
Sipas të dhënave, qentë u larguan më 16 mars dhe u kthyen në shtëpi më 18 mars, ndërsa më 19 mars u konfirmua se të gjithë ishin ribashkuar me pronarët e tyre, të cilët i përkisnin tre familjeve të ndryshme. Rasti ka rikthyer vëmendjen mbi industrinë e diskutueshme të mishit të qenve në China. Sipas analizave të organizatës HumaneWorld, mbi 10 milionë qen konsumohen çdo vit në vend.
Një pjesë e konsiderueshme e kësaj tregtie lidhet me aktivitete të paligjshme, përfshirë vjedhjen e kafshëve shtëpiake dhe transportimin e tyre pa dokumentacionin e nevojshëm shëndetësor. Gjatë transportit, shumë kafshë vuajnë nga kushte të rënda, duke përfshirë dehidratimin, lëndimet dhe mbinxehjen. Megjithatë, ekspertët theksojnë se konsumi i mishit të qenve nuk është i përhapur në të gjithë Kinën dhe shumica e popullsisë nuk e konsumon atë. Historia e shtatë qenve, që sfiduan rrezikun dhe qëndruan së bashku deri në fund, është parë nga shumë si një dëshmi e fortë e instinktit dhe lidhjes mes kafshëve – dhe një kujtesë për rëndësinë e mbrojtjes së tyre. /Balkanweb