Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e djeshme ku një turist hollandez ndërroi jetë tragjikisht në Alpet e Shqipërisë.
Turisti F. D., 27 vjeç, ishte pjesë e një guide të organizuar, të cilët po eksploronin zonën malore mes Thethit dhe Valbonës. Ai ka rrëshqitur dhe ka rënë në një terren të thepisur duke ndërruar jetë në vend.Kanë qenë miqtë e tij të cilët kanë lajmëruar menjëherë shërbimet e emergjencës. Në vendngjarje kanë mbërritur pjesëtarë të Federatës Shqiptare të Alpinizmit dhe Turizmit Malor si dhe njësi nga Kosova me qëllim nxjerrjen e trupit të turistit nga humnera.Operacioni për nxjerrjen e trupit të pajetë të turistit ka përfunduar rreth orëve të para të mëngjesit dhe ka zgjatur rreth 3-4 orë për shkak të terrenit të vështirë.”Salla Operative e Komisariatit të Policisë Tropojë ka marrë njoftim mbrëmjen e djeshme, se një turist holandez, duke eksploruar zonën me disa turistë të tjerë, në vendin e quajtur “Qafa e Valbonës”, kishte rënë nga një terren i thepisur malor. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, së bashku me ekipin mjekësor të spitalit të Tropojës dhe ekipet e kërkim-shpëtimit të Valbonës dhe të Kosovës, janë nisur bashkë me helikopterin e ushtrisë, drejt adresës së dhënë. Pas disa orësh kërkime, shërbimet e Policisë ndërprenë punën për shkak të errësirës. Kërkimet vijuan më pas në orët e para të mëngjesit, së bashku me ekipet e kërkim-shpëtimit. Rreth orës 05:30, nga ekipi i kërkim-shpëtimit dhe shërbimet e Policisë është bërë e mundur gjetja dhe nxjerrja e trupit të pajetë të shtetasit holandez F. D., 27 vjeç, i cili do të transportohet me helikopter, drejt morgut. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tropojë shpallën në kërkim shtetasin B. Q., 39 vjeç, banues në Shipshan, pasi duke prerë pemë në bjeshkën e Pojanës, dyshohet se një pemë ka rënë mbi shtetasin M. K., 79 vjeç, i cili është dëmtuar dhe për pasojë ka humbur jetën në spital. Vijon puna për kapjen e 39-vjeçarit dhe për dokumentimin e rrethanave të rastit. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”