Policia e Kosovës ka njoftuar se rasti i raportuar si rrëmbim i një të miture, që ishte denoncuar më 21 maj rreth orës 00:45 në rrugën “Pajazit Islami” në Fushë Kosovë, pas hetimeve intensive ka rezultuar të jetë një kallëzim i rremë.
Policia e Kosovës në një përgjigje për Gazetën Express, fillimisht ishte pretenduar se një vajzë e mitur ishte futur me forcë në një veturë nga persona të dyshuar dhe më pas ishte liruar brenda një ore. Gjatë incidentit, ishte raportuar se edhe nëna e të miturës ishte lënduar lehtë në tentativë për ta parandaluar rrëmbimin.
Pas këtij denoncimi, njësitë relevante të hetimeve nga stacioni policor në Fushë Kosovë, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit, kanë ndërmarrë një sërë veprimesh të menjëhershme hetimore. Janë përdorur të gjitha kapacitetet profesionale dhe teknike për të zbardhur ngjarjen.
“Si rezultat i hetimeve të thelluara dhe verifikimeve të detajuara, është konfirmuar se nuk ka pasur rrëmbim, por bëhet fjalë për një kallëzim të rremë,” thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.
Hetimet për këtë rast po vazhdojnë me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave dhe përcaktimit të përgjegjësive ligjore për personat e përfshirë në dhënien e informacionit të rremë.
“Policia ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe ka bërë thirrje që të shmangen deklarimet mashtruese, duke theksuar se çdo informacion trajtohet me seriozitet të plotë dhe profesionalizëm. Po ashtu, qytetarët janë inkurajuar të raportojnë rastet me përgjegjësi dhe besim të plotë në institucionet e rendit”, thuhet në përgjigjen e Policise.