Më 26 korrik një vajzë e mitur ishte raportuar si e zhdukur në stacionin policor të Mitrovicës së Veriut. Sipas informacioneve të dhëna nga familjarët, vajza e tyre e mitur kishte dalë nga banesa dhe nuk dihej vendndodhja e saj.
Lidhur me rastin, policia tha se Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit “Person i zhdukur”.
“Menjëherë pas pranimit të informatës, Stacioni i Policisë Mitrovicë Veri ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme operative dhe hetimore, duke njoftuar pikat kufitare, stacionet përkatëse policore si dhe marrjen e veprimeve të tjera hetimore”.
Ndërkaq, sot personi i zhdukur është paraqitur në stacionin policor së bashku me prindin e saj.
“Pas përfundimit të procedurave të nevojshme, rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt”, tha policia.
“Policia e Kosovës vazhdon të jetë e përkushtuar në garantimin e sigurisë dhe ofrimin e ndihmës për të gjithë qytetarët. Apelojmë tek të gjithë qytetarët që në raste të ngjashme të bashkëpunojnë me policinë duke raportuar në kohë çdo rast shqetësues në numrin 192, në mënyrë që të veprohet shpejt dhe me efikasitet”.