Operacioni i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Liqenin e Ujmanit për gjetjen e trupit të 33-vjeçarit Rrahim Latifi, i cili u hodh nga ura më 27 korrik, është shoqëruar me reagime të shumta dhe debate të nxehta, si në opinionin publik, ashtu edhe në skenën politike dhe diplomatike.
Aksioni, i cili fillimisht u përshëndet si një ndërhyrje humanitare, shpejt u politizua pasi disa zyrtarë të pushtetit dhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje e paraqitën operacionin si “hyrjen e parë të FSK-së në veri të Kosovës”.
Në këtë kontekst, u publikuan edhe fotografi ku ishin retushuar automjetet e KFOR-it, me qëllim që të mos dukej roli i tyre në mision
Kjo shkaktoi një reagim të ashpër nga Ambasada Gjermane, e cila shprehu “shqetësim të thellë për politizimin e çështjes dhe përpjekjet për manipulim vizual dhe narrativ”.
Ambasada theksoi se “trishtimi për humbjen tragjike të jetës duhet të jetë moment zie kolektive, jo rast për pikëzim politik”.
Sipas saj, misioni i FSK-së ishte autorizuar nga KFOR-i vetëm për qëllime humanitare dhe çdo interpretim ndryshe është mashtrues dhe i rrezikshëm për besimin publik.
Edhe Franca, përmes ambasadorit të saj në Prishtinë, Olivier Guerot, reagoi duke theksuar rëndësinë e rolit të KFOR-it dhe nevojën që ky kontribut të respektohet nga të gjithë aktorët në Kosovë dhe rajon, transmeton Klankosova.
Ai paralajmëroi për rrezikun që vjen nga përhapja e dezinformatave dhe manipulimit sistematik të informacionit.
Në debatin e zhvilluar mbrëmjen e së martës në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, opinionisti Avni Arifi tha se përdorimi i FSK-së për qëllime propagandistike e dëmton thellësisht shtetin dhe institucionet.
“Kemi ardhur në situatën ku ambasadori gjerman i thotë kryeministrit të vendit se është mashtrues. Kjo është e pashembullt dhe shumë serioze për imazhin e shtetit”, tha Arifi.
Në të njëjtin emision, ish-komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, kritikoi politizimin e operacionit, duke theksuar se kjo qasje demotivon pjesëtarët e ushtrisë dhe dëmton misionin e saj.
Ai kujtoi se FSK ka ndërhyrë edhe më parë në veri, përfshirë një operacion në vitin 2015 po në Liqenin e Ujmanit, pas një aksidenti me varka.
Ndërsa Vlora Çitaku, sekretarja e përgjithshme e PDK-së, e quajti të neveritshme propagandën e pushtetit.
Ajo akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për mungesë ndjeshmërie njerëzore dhe për përpjekje për të rishkruar historinë.
“FSK nuk ka shkuar në veri për luftë, por për të ndihmuar në një tragjedi njerëzore. Marrë ju qoftë!”, shkroi ajo në Facebbok.
Prishtinë, 30 korrik 2025 – Axians, marka e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit e VINCI Energies, po zgjeron praninë...