Edhe pse Anderlecht u mposht të dielën mbrëma nga Club Brugge në finalen e Kupës së Belgjikës, trajneri Besnik Hasi është i bindur se skuadra të cilën po e udhëheq, po shkon në drejtimin e duhur.
Në një intervistë të dhënë për mediumin “Het Nieuësblad”, Hasi bëri me dije se në akademinë e Anderlechtit ka lojtarë shumë të talentuar.
“Besoj që Anderlechti ka marrë një drejtim pozitiv. Skuadra duhet ta ndjekë këtë rrugë më tej. Gjatë muajit të fundit kam parë se ka ende shumë talente në akademi. Kjo është baza,” theksoi ai.
53-vjeçari Hasi e mori drejtimin e skuadrës më 20 mars, me një kontratë që zgjatë vetëm deri në fund të këtij sezoni.
Ai është pasardhësi i David Hubertin, i cili u shkarkua pas rezultateve të dobëta të arritura gjatë këtij sezoni.
Deri më tani, Besnik Hasi e ka udhëhequr Anderlechtin në tetë ndeshje, duke regjistruar tri fitore, një barazim dhe katër humbje.
Kjo nuk është përvoja e tij e parë me Anderlechtin – pasi ai ka qenë trajner i këtij klubi edhe në periudhën 2014–2016./GazetaExpress/