39-vjeçari Amar Shkëmbi u arrestua në Abu Dabi, pasi ishte shpallur në kërkim nga SPAK si i përfshirë në atentatin ndaj ish-prokurorit, Arjan Ndoja në 2019 në mbikalimin e Shkozetit.
Mësohet se Shkëmbi është mbajtur për rreth dy javë nën vëzhgim nga policia.
39-vjeçari ka mohuar të jetë përfshirë në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja me pretendimin se ka qenë jashtë vendit në momentin që ka ndodhur ngjarja.
Në momentin që është ndaluar, 39-vjeçari nuk ka pasur mjetin identifikimi me vete. Më pas është bërë shoqërimi i tij. Përmes shenjave të gishtërinjve ka rezultuar si person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për grup të strukturuar kriminal.
Sipas SPAK, Amar Shkëmbi ka qenë pjesë e grupit prej 11 personash që organizoi dhe kreu atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja dhe Pëllumb Muharremit, i njohur ndryshe edhe si Rumi.
39-vjeçari u shpall në kërkim me urdhër të SPAK dhe vendim të Gjykatës së Posaçme, në Janar të këtij viti ku u arrestuan për të njëjtën dosje edhe Genti Ndërjaku alias Kili Ndërjaku, Bashkim Haxhia, Marsel Deçka, Endrit Sinani dhe Juljan Pjetri. Ndërkohë, Plarent Dervishaj, Ramazan Rraja dhe Julian Meçe janë shpallur në kërkim si organizatorë të atentatit.
Si pasojë e të shtënave në këtë atentat u plagos rëndë dhe ndërroi jetë në spital Andi Maloku, i cili ishte shoferi i ish-prokurorit Ndoja, ndërsa u plagos edhe vetë ky i fundit.
/Gazeta Express