Ish deputeti Ervin Salianji është paraqitur për herë të fundit në shërbimin e provës, pasi u lirua me kusht nga burgu i Fierit më 8 korrik, duke përfunduar 9 muaj e gjysmë nga dënimi me burg 1 vit, që iu dha shtatorin e kaluar për kallëzim të rremë në dosjen “Babale”.
Në një deklaratë për mediat, ish-deputeti i PD-së tha se çështjen do ta çojë brenda pak ditësh në Gjykatën Kushtetuese dhe, nëse nuk do të ketë vendimmarrje të drejtë, do t’i drejtohet edhe Strasburgut.
“Une jam izoluar dhe burgosur për shkak të bindjeve politike dhe për shkak të denoncimit të një personi të inkriminuar. Histori që nisi shumë vite përpara dhe nga dita në ditë të gjithë denoncimet që kam bërë në emër të PD dhe të gjitha denoncimet nga PD, po faktohen duke faktuar së pari lidhjet e forta të krimit me qeverinë dhe kontrollet e grupeve të krimit dhe përfshirjen e personave në funksione më të larta qeveritare apo policore të drejtësisë. Pas këtij momenti, përfundimi i këtij turpi për drejtësinë, njollë turpi për drejtësinë e kapur politikisht nga Rama do ta vazhdoj këtë çështje deri në Strasburg.”, tha Salianji.
Ai shtoi se ka përjetuar në kurriz padrejtësitë që prodhojnë institucionet dhe do të vijojë betejën për të gjithë qytetarët që, sipas tij, përballen çdo ditë me të njëjtin fenomen.
“Dua të theksoj, se duke qenë se e kam provuar vetë edhe në kurriz që dmth të prodhohen padrejtësi nga institucionet. Do të punoj fort për interesat e qytetarëve që përballen me padrejtësi të përditshme nga institucionet e drejtësisë dhe që janë kthyer në institucione dhunuese e gjobash të përditshme. Beteja ime me drejtësinë është në rrugë e sipër, sapo ka filluar. Për pak ditë do të depozitoj në Kushtetuese dhe nëse do të ketë kontroll nga Rama, do të depozitoj në Strasburg. Jam i bindur në fitore.”, u shpreh ai.
Me vendimin e Gjykatës për 1 vit burg, Salianji humbi mandatin e deputetit, të fituar në zgjedhjet e 2017-s dhe të 2021-shit.