"U largova me dëshirë", kthehet në banesë ish-zv.drejtori i AKSHI-t, Daniel Shima. Berisha: U rrëmbye - Gazeta Express
string(95) "u-largova-me-deshire-kthehet-ne-banese-ish-zv-drejtori-i-akshi-t-daniel-shima-berisha-u-rrembye"

Shqiperi

Gazeta Express

21/08/2025 15:30

“U largova me dëshirë”, kthehet në banesë ish-zv.drejtori i AKSHI-t, Daniel Shima. Berisha: U rrëmbye

Shqiperi

Gazeta Express

21/08/2025 15:30

Ish-zv.drejtori i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Daniel Shima, është kthyer në banesë gjatë orëve të para të mëngjesit të 21 gushtit, pas një denoncimi për zhdukjen e tij që u bë nga familjarët pasditen e një dite më parë.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, rreth orës 02:00 të mëngjesit, Shima është paraqitur vetë në Komisariatin Nr. 1 në Tiranë, ku ka deklaruar se ishte larguar me dëshirën e tij. “Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, për kallëzimin e shtetases M. Sh, për humbjen e kontakteve me djalin e saj, shtetasin D. Sh., 34 vjeç, bëjmë me dije se rreth orës 02:00, ky shtetas është paraqitur në Komisariatin e Policisë Nr. 1 dhe ka deklaruar se ishte larguar me dëshirën e tij,” thuhet në njoftimin e Policisë.

Denoncimi për humbjen e kontakteve me të u bë pasi e dashura e tij i kishte dërguar një mesazh nënës së Shimës, duke i thënë se rreth orës 13:30 të së njëjtës ditë, ai i kishte shkruar: “Po më arreston policia.” Por vetë Shima siç raporton policia në komisariat ka thënë se ka ikur vetë pas një zënke me të dashurën. .

Ndërkohë, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka quajtur rastin një rrëmbim të pastër, duke mos besuar versionin zyrtar të Policisë. Ai pretendon se zhdukja e Daniel Shimës lidhet me dijenitë që ai zotëron mbi tenderat e zhvilluar gjatë kohës që mbante postin e zëvendësdrejtorit në AKSHI.

Përfundoi në bodrumet e Suel Çelës apo në tunelet e Dajtit të Surrelit, këtë të vërtetë nuk mund ta themi me siguri. Por një gjë është absolute e sigurt, se ai u rrëmbye. Dhe se ai shpëtoi i gjallë falë atij instinkti që e shtyu t’i bënte një mesazh, një SOS, partneres së tij. Përndryshe do kishim skena si ajo e Jan Prengës ose zhdukje si ajo e Ervis Martinit që nuk gjendet edhe sot e kësaj dite pa nam dhe nishan,” tha kreu i Partisë Demokratike.