Një operacion ndërkombëtar anti-drogë i shtrirë në disa shtete, është finalizuar këtë të premte në goditjen e një bande të struktruar kriminale shqiptare, e cila kryente trafik të lëndëve narkotike.
Mes dhjetëra të arrestuarve në shtete si Shqipëria, Italia e Dubai, është dhe një emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Fjala është për Eldi Dizdarin, i njohur ndryshe si Denis Matoshi.
Ky i fundit dyshohet të jetë një ndër krerët e bandës dhe ka qenë i përfshirë në atë që njihet si masakra e ish- bllokut, ngjarje e ndodhur dy vite më parë ku u përplasën me armë grupi i Ervis Martinajt me atë të Ervin Matës.
Fill pas ngjarjes ku mbeti i vdekur Fabiol Gaxha e u plagosën Eljon Hato e Ervis Martinaj, prokuroria shpalli në kërkim Eldi Dizdarin, kjo pasi kishte dyshime se masakra e ish bllokut ndodhi pikërisht për shkak të prishjes së pazareve të drogës mes palëve.
Dizdari njihet gjithashtu dhe për lidhjen e tij me një ish miss shqiptar, Suada Sherifin. Nga martesa Dizdari ka një vajzë të mitur. Dizdari është dhe kushëriri i Arbër Çekajt, pronari i kompanisë “Arbri Garden” ku para më shumë se një viti u sekuestrua një sasi prej 613 kilogramësh kokainë. Ky i fundit u dënua me burg ditën e djeshme në Gjykatë./Express