Dion Krasniqi do ta kalojë pjesën e dytë të vitit 2025 në ekipin suedez Sandvikens IF, ku u huazua nga Elfsborgu.
E për ta realizuar këtë transferim është përkujdesur agjensioni i futbollistëve “Global Soccer Management (GMS), e cila i ka në menaxhim disa lojtarë të njohur, shkruan “Gazeta Express”.
Kontribut në këtë lëvizje sigurisht pati Shendi Salihi, i cili është pjesë e kësaj agjensie dhe njëherësh njëri prej përfaqësuesve të Dion Krasniqit.
Përfaqësuesi U-21 i Kosovës ndihet i kënaqur me këtë kalim, ku do të ketë mundësi të luajë në vazhdimësi dhe të bëjë përvojë.
Ai thotë se do të mundohet të shënojë sa më shumë gola, në mënyrë që ta ndihmojë ekipin e ri në edicionin e ri.
“Ndihem shumë mirë dhe jam vërtet i emocionuar. Më është thënë se Sandviken është një klub familjar dhe se ata luajnë futboll krijues. Tani shpresoj të jem në gjendje të kontribuoj me punë vërtet të palodhur këtu në sprintin e fundit dhe ta ndihmoj ekipin të grumbullojë sa më shumë pikë të jetë e mundur. Sigurisht, shpresoj gjithashtu të jem në gjendje të kontribuoj me gola. Kjo është edhe punë e një sulmuesi”, deklaroi 22-vjeçari për faqen zyrtare të klubit.
Deri tash në vitin 2025, Krasniqi ka qenë i huazuar me kampionët në fuqi të Finlandës, KuPS.
Tani huazimi në Finlandë po ndërpritet dhe sulmuesi kosovar do t’i bashkohet Sandvikens IF në ligën e dytë suedeze – Superettan, për pjesën tjetër të sezonit. /Gazeta Express