Sot në ora 10:00 u bë hapja solemne e konferencës shkencore “Java e Albanologjisë”, ku morën pjesë zyrtarë të lartë institucionalë dhe drejtues të institucioneve shkencore dhe universitare.
Naim Berisha, në cilësinë e nikoqirit e mbajti fjalën hapëse dhe falënderuese për të pranishmit. Ndër të tjera, ai shprehu nevojën për një qasje sa më të dinjitetshme në raport me albanologjinë, si dije për dhe rreth shqiptarëve.
Hapjen solemne e moderoi punonjësja shkencore e IAP, Elza Shipoli.
Në kuadër të kësaj konference shkencore do të mbahen pesë sesione nga fushat e gjuhësisë, letërsisë, historisë, folklorit dhe etnologjisë, si dhe do të ketë diskutime të ndryshme për çështje të rëndësishme e të veçanta të kërkimeve albanologjike.
Më poshtë janë temat bosht të sesioneve që do të mbahen në këtë edicion.
I. Sesioni i Historisë: “Ndërthurja e identitetit fetar te shqiptarët nga besimet pagane te pluralizmi bashkëkohor”, 26.05.2025,
II. Sesioni i Folkloristikës dhe Etnomuzikologjisë: “Kënga si rrëfim, tekst, performancë dhe praktikë social-kulturore”, 27.05.2025,
III. Sesioni i Letërsisë: “Kritika letrare shqipe 1945-1990”, 28.05.2025,
IV. Sesioni i Etnologjisë: “Kultura shqiptare dhe etnologjia urbane”, 29.05.2025,
V. Sesioni i Gjuhësisë: “Për një leksikografi bashkëkohore”, 30.05.2025.