Një 62-vjeçar është identifikuar si autori i zjarrit në Memaliaj.
Mëngjesin e sotëm, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë dhe ato të Stacionit të Policisë Memaliaj, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Gjirokastër, DVP Fier dhe me zjarrfikësit, kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, të kryera menjëherë pas njoftimit se në zonën e pyllëzuar të fshatit Iliras, konkretisht në vendin e quajtur “Hams”, kishte rënë zjarr, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë dhe ato të Stacionit të Policisë Memaliaj mundësuan identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar të zjarrvënies, shtetasit B. L., 62 vjeç, banues në këtë fshat.
Si pasojë e përhapjes së flakëve, u dogjën territori i fshatit Koshtan, sipërfaqe të konsiderueshme pyjore, rreth 400 pemë frutore dhe 3 banesa (aktualisht të pabanuara).
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër apelon sërisht, për të gjithë banorët që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me pasoja penale.
Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast zjarrvënieje dhe paligjshmërie në tërësi, dhe iu garanton anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm./TCh/