U dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit, pallati i Vipave në Durrës do të shembet me tritol. Bizneset e banorët kundër - Gazeta Express

Shqiperi

Gazeta Express

30/05/2020 13:25

U dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit, pallati i Vipave në Durrës do të shembet me tritol. Bizneset e banorët kundër

Shqiperi

Gazeta Express

30/05/2020 13:25

Pallati i Vipave në Durrës përfundimisht do të shembet me tirol. Pas më shumë se tre javësh që IMT vendosi ta shembë, Forcat xheniere dhe ato të IMKT-së rrethuan pallatin në qendër të Durrësit, për të cilin është marrë vendimi për ta shembur me eksploziv pasi rezultoi i dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit.

Efektivët nisën punën për të hapur vrimat për vendosjen e eksplozivit, pasi pavarësisht protestave të banorëve për ta shembur pallatin me mjete të rënda, godina 6 katëshe do të shembet me tritol. Ndërsa punonjësit bënin ndërhyrjet e nevojshme në godina, zona rreth e qark ishte rrethuar nga efektivët e policisë bashkiake si dhe shumë kureshtarë që ndiqnin nga afër të gjithë procesin. Ndërkohë, bizneset e zonës dhe banorët e pallateve rreth e qark u shprehën të indinjuar që propozimet e tyre për ta shembur godinën me mjete të rënda ranë në vesh të shurdhët.

Për më tepër, askush nuk u ka shkuar deri më tani në mënyrë zyrtare për t’u komunikuar se çfarë duhet të bëjnë realisht për të evituar dëmet që mund të shkaktohen në biznese e shtëpi nga forca goditëse e lëndës plasëse. Pak ditë më parë, banorët deklaruan se zgjidhja më e mirë për ta do të ishte shembja me mjete të rënda, pasi e gjithë zona rreth e qark ka dendësi të madhe pallatesh e biznesesh, shumë prej të cilave kanë bërë edhe riparimet e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit. “Sapo kemi riparuar një palë dëme, tani po duan të na shkaktojnë të tjera”- thanë banorët, më herët gjatë javës.