Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka lëshuar udhëzim për zbatim të detyrueshëm të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, për intervistimin e të pandehurve para ngritjes së aktakuzës.
Ky udhëzim, vjen katër ditë pas hulumtimit të “Betimi për Drejtësi”-Shkeljet e prokurorëve amnistojnë kriminelët potencialë“, ku tregohet se si qindra aktakuza janë hudhur nga gjykata, pasi prokuroria nuk ka marrë në pyetje të pandehurit para ngritjes së aktakuzës.
Në udhëzimin e u.d. Kryeprokurorit të Shtetit, thuhet se detyrohen të gjithë kryeprokurorët dhe prokurorët që të zbatojnë dispozitën e nenit 149, paragrafi 1 të Kodit të Procedurës Penale.
“….E cila parasheh së përveç rasteve të parapara në nenin 234, paragrafi 2 t këtij Kodi, sipas të cilës, kur i pandehuri është në arrati ose për shkaqe tjera është i paarritshëm për organet e ndjekjes, prokurori i shtetit mund të ngrisë aktakuzë edhe nëse i pandehuri nuk është marrë në pyetje në procedurë paraprake apo nuk ka dhënë deklaratë në procedurë paraprake, ndërsa në të gjitha rastet tjera i pandehuri duhet të merret në pyetje nga prokurori i shtetit para ngritjes së aktakuzës”, thuhet në udhëzim.
Udhëzimi shpjegon se Kodi parasheh që në rastet kur i pandehuri hetohet për vepër apo vepra penale për të cilat dënimi maksimal i paraparë është deri në tre vjet burgim, mjafton që i dyshuari apo i pandehuri të jetë marrë në pyetje në Polici, por gjithsesi me autorizim të prokurorit të shtetit.
“Mos respektimi i këtij udhëzimi konsiderohet si shkelje disiplinore e prokurorëve, sipas dispozitës së nenit 6 paragrafi 2 nënparagrafi 2.1 të Ligjit Nr. 06/1 – 057 për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, thuhet tutje në udhëzimin e lëshuar nga Kelmendi.
Hulumtimi i “Betimi për Drejtësi”, paraqiste se si kishte dështuar edhe një rast i vrasjes se rëndë, pasi Prokuroria Themelore në Gjakovë kishte ngritur aktakuzën jashtë afatit ligjor dhe gjithashtu nuk kishte shteruar të gjitha mjetet ligjore për intervistimin e të pandehurve.
“Betimi për Drejtësi”, në gjitha gjykatat në nivel vendi, kishte siguruar rreth 150 raste kur aktakuzat janë hudhur dhe qindra të tjera që ishin në proces për t’u hudhur pasi Prokuroria nuk ka zbatuar dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, për marrjen në pyetjet të të pandehurve.
Në mesin e rasteve të hudhura, ka lëndë me vepra penale si “Vrasje e rëndë”, “Kultivim i bimëve narkotike”, “Mashtrim”, “Vjedhje e rëndë”, “Kanosje”, “Falsifikim i dokumenteve”, e vepra tjera penale deri tek “Vjedhja e shërbimeve”.
Ndonëse Kodi ishte i qartë, gjithçka do fillonte me një hulumtim tjetër të “Betimit për Drejtësi”, të zhvilluar në qershor 2023 me titull “Për faj të Prokurorisë, amnistohet burri i dhunshëm, pëson gruaja viktimë”.
Ky hulumtim tregonte se si Prokuroria e kishte dështuar një rast të dhunës në familje, pasi nuk kishte intervistuar të pandehurin para ngritjes së aktakuzës.
Kjo dhunë, e cila ishte dokumentuar edhe me raporte mjekësore, kishte mbetur e pandëshkuar për faj të Prokurorisë.
Edhe pse hudhja e aktakuzës ishte konfirmuar nga Apeli, në përgjigje ndaj pyetjeve të “Betimi për Drejtësi” se a ishte amnistuar dhuna, Prokuroria Themelore në Mitrovicë insistoi se rasti nuk ka përfunduar proceduralisht dhe paralajmëroi se do ta dërgojë në Gjykatën Supreme.
Kështu, Prokuroria kishte paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë. Por, Gjykata Supreme ka marrë vendim duke refuzuar kërkesën e Prokurorit të Shtetit.
Supremja kishte sqaruar se me Kodin e vjetër të Procedurës Penale parashihej që “Para ngritjes së aktakuzës, i pandehuri merret në pyetje në seancën e marrjes së deklaratës në procedurë paraprake. Nëse i pandehuri hetohet për vepër apo vepra penale për të cilat dënimi maksimal i paraparë është jo më shumë se tre (3) vjet burgim, mjafton që të pandehurit t’i jepet mundësia që të përgjigjet me shkrim”.
Sipas Supremes, zbatimi i hetimeve dhe marrja në pyetje e të pandehurit në seancën e marrjes së deklaratës, kanë qenë detyrim i prokurorit të shtetit.