Albin Kurti dje pasi u nominua nga partia e tij për kandidat për kryeministër në zgjedhjet e 28 dhjetorit aludoi se shkaku i moskrijimit të qeverisë ishte refuzimi i tij për të bërë pazare me, siç tha ai, poste në ambasada, borde e terminale doganore. Mirëpo përveç Nismës, të cilës Kurti, sipas Limajt fillimisht ia kishte dakorduar që t’ia jepte postin e kryeparlamentarit, partitë tjera s’kanë negociuar me të. LDK’së që i çoi ftesë dy herë, dy herë e refuzoi. Ndërsa me të tjerat, për aq sa është publike, nuk ka pasur bisedime. Vlora Çitaku nga PDK, i ka thënë Gazetës Express se kjo deklaratë e Kurtit është përpjekje për ta zhvendosur vëmendjen nga e vërteta.
Gazeta Express
Lideri i VV’së Albin Kurti, dje në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë u nominua si kandidat për kryeministër në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Aty, ai tha se më herët ka pasur qeveri të pazareve, duke përmendur poste në ambasada, borde e terminale doganore dhe sipas tij arsyeja se pse Kosova s’ka qeveri, është bllokimi nga partitë opozitare.
“Na akuzojnë se të tjerët kanë bërë qeveri me 20% e 30%, madje edhe me 7%, por ne refuzojmë të jemi pjesë e qeverive pazaresh. Ne bëjmë qeveri me plane e strategji për familjet dhe punëtorët, jo për ndarje bordesh, terminalesh apo postesh. Mungesa e marrëveshjes qeveritare nuk vjen nga ne, por nga bllokimi i tyre. Marrëveshjet e mëparshme ishin të paligjshme e kundër shtetit, dhe ne nuk i bëjmë të tilla. Pikërisht për këtë arsye kemi fituar zgjedhjet rregullisht dhe do t’i fitojmë sërish më 28 dhjetor” tha Kurti.
“Pra arsyeja pse nuk kemi një marrëveshje qeveritare, nuk është mungesa e ofertave dhe bashkëpunimit nga ana jonë, por bllokimi nga ana e tyre. Ndërkaq nuk paraqet kurrfarë justifikimi se më herët janë bërë marrëveshje e tash s’po bëhen, sepse po që se e shikojmë përmbajtjen e atyre marrëveshjeve, e shohim se ajo janë të paligjshme”, shtoi ai.
Kurti vazhdimisht, gjatë viteve sa ka qeverisur, është akuzuar nga opozita për kapje bordesh dhe emërime të militantëve nëpër to si dhe për punësime partiake nëpër institucione.
Sekretarja e Përgjithshme e PDK’së, Vlora Çitaku, në një prononcim për Gazetën Express ka thënë se viti 2025 ka qenë vit i humbur për Kosovën “kryekëput për shkak të arrogancës dhe kryeneçësisë politike të Albin Kurtit”.
Sipas saj, Kurti kërkonte vasalë e jo partnerë.
“Viti 2025 ka qenë një vit i humbur për Kosovën, kryekëput për shkak të arrogancës dhe kryeneçësisë politike të Albin Kurtit, i cili asnjëherë nuk e pranoi rezultatin e zgjedhjeve të shkuara. Ai kërkonte vasalë, jo partnerë, dhe për këtë arsye vendi u fut në një bllokadë të panevojshme politike”, deklaroi Çitaku.
Sa i përket deklaratës së Kurtit për pazare, Çitaku thotë se ato janë përpjekje për ta zhvendosur vëmendjen nga e vërteta. Ajo shtoi se partitë nuk kanë negociuar me Kurtin sepse ai “nuk kërkonte bashkëpunim, por nënshtrim”.
“Deklarimet e tij për pazare, borde e terminale janë vetëm një përpjekje për ta zhvendosur vëmendjen nga e vërteta. Partitë nuk kanë negociuar fare me të, sepse Kurti nuk kërkonte bashkëpunim, por nënshtrim. Asnjë parti serioze nuk i nënshtrohet një qasje të tillë autokratike.”
Çitaku ka thënë se ministrat e Kurtit janë përfshirë në afera multimilionëshe.
“Ndërkohë, ministrat e tij janë përfshirë në afera multimilionëshe abuzive, nga rezervat shtetërore e deri te energjia elektrike. Qytetarët janë varfëruar, çmimet janë bërë të papërballueshme, dhe qeveria në ikje nuk ka ofruar asnjë zgjidhje reale për barrën që po rëndon mbi familjet e Kosovës.”
Në fund, ajo tha se “Kosova ka humbur një vit të çmuar për shkak të refuzimit të tij për të pranuar realitetin politik dhe për të respektuar vullnetin e qytetarëve”. /GazetaExpress/
Tregu shqiptar i real estate ka hyrë në një fazë transformimi të thellë, ku projektet me vlerë të qëndrueshme,...