Twitter vazhdon pastrimin, shlyen 32 mijë llogari false - Gazeta Express

Twitter vazhdon pastrimin, shlyen 32 mijë llogari false

AutoTech

Gazeta Express

12/06/2020 23:44

Rrjeti social Twitter ka hequr 32 mijë llogari false të përdorura nga Kina, Rusia dhe Turqia të cilat sipas kompanisë, shkaktonin dezinformim.

Rrjeti më i madh, në mesin e tre të çmontuarve, është ai kinez. Ai përbëhej nga 23 750 llogari, përmbajtja e të cilave shpërndahej në 150 mijë llogari të tjera.

”Këto rrjete përdoreshin për aktivitete të koordinuara dhe manipuluese, me synimin për t’u përhapur në vende të tjera”, transmeton atsh shpjegimin e Twitter-it.

Rrjeti rus ishte i përbërë nga rreth 1 000 llogari të lidhura me politikën aktuale, një sit informacioni që bënte propagandë në emër të qeverisë.

Ndër aktivitetet e rrjetit aty ishte promovimi i ”Rusisë së Bashkuar”, partia e presidentit rus Vladimir Putin dhe sulmi ndaj disidentëve politikë.

Rrjeti turk kishte 7 340 llogari./ANSA