Të martën, Turqia ka zbuluar raketën e saj të parë hipersonike, Tayfun Block-4, ndërsa prodhuesi i saj, Roketsan, prezantoi gjashtë sisteme të reja të përparuara në panairin ndërkombëtar të mbrojtjes IDEF 2025 në Stamboll.
Sipas mediave turke raketa balistike Tayfun Block-4 është versioni hipersonik i raketës Tayfun, raketës balistike me rrezen më të gjatë veprimi të prodhuar në vend të Turqisë.
“Tayfun Block-4 arrin rreze të gjata veprimi, duke vendosur një tjetër rekord për industrinë turke të mbrojtjes. Me një peshë mbi 7 ton, ky version i ri i Tayfun, me kokën e tij shumëfunksionale, do të jetë i aftë të shkatërrojë objektiva të shumta strategjike, të tilla si sistemet e mbrojtjes ajrore, qendrat e komandës dhe kontrollit, hangarë ushtarakë dhe objekte kritike ushtarake, nga kilometra larg”, tha Roketsan në një deklaratë.
CEO i gjigantit të mbrojtjes, Murat Ikinci, tha: “Sot, kompania jonë, një markë globale në teknologjitë e raketave dhe municioneve, vazhdon të jetë pioniere në teknologjitë e reja me studimet e saj të kërkim-zhvillimit, për të qenë forca goditëse dhe parandaluese e Forcave të Armatosura Turke me sistemet e mbrojtjes që zhvillon dhe për të siguruar forcë strategjike dhe ekonomike për vendin tonë me eksportet e saj në shumë rajone të botës, nga Amerika në Evropë, nga Azia në Lindjen e Mesme”.