Autoritetet turke kanë ndaluar një anije turistike lundruese, e cila u shërben udhëtarëve amerikanë të komunitetit LGBTQ+, të ankorohet në portet e vendit, duke u arsyetuar me “standardet morale” dhe “vlerat familjare”, tha të enjten drejtori ekzekutiv i kompanisë që organizon turin mesdhetar.
Lundrimi “Athinw-Venecia”, i cili niset nga Greqia më 5 korrik, ishte planifikuar të ndalonte dy ditë më vonë në qytetin portual turk të Kuşadası, e më pas të vazhdonte drejt Stambollit, sipas kompanisë Atlantis Events, organizatore e këtij udhëtimi, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.
Por, në një vendim që ka ngjallur polemika, autoritetet lokale në Turqi njoftuan se e kanë anuluar këtë “ngjarje”, pasi anija – e cila pritet të transportojë më shumë se 1.000 pasagjerë nga Shtetet e Bashkuara – ishte marrë me qira nga grupe “të njohura për sjellje të papajtueshme me strukturën e shoqërisë sonë dhe me vlerat tona morale”.
Anija, e quajtur Scarlet Lady, është në pronësi të kompanisë së lundrimeve Virgin Voyages, e mbështetur nga biznesmeni Richard Branson, sipas platformës MarineTraffic. Atlantis Events njoftoi se, në vend të Turqisë, anija do të ndalojë në Kajro të Egjiptit dhe në ishullin grek të Kretës.
Partia AK e presidentit turk Tayyip Erdoğan ka përdorur një retorikë gjithnjë e më të ashpër ndaj komunitetit LGBTQ+ gjatë dekadës së fundit, duke nxitur reagime dhe kritika nga organizatat për të drejtat e njeriut. Autoritetet kanë ndaluar marshimet e Krenarisë (Pride) në Stamboll që nga viti 2015, duke u thirrur në shqetësime për sigurinë publike.
“Është vërtet tronditëse, për të qenë i sinqertë. Arsyeja është thjesht se bëhet fjalë për një grup homoseksualësh”, tha për CNN presidenti dhe drejtori ekzekutiv i Atlantis Events, Rich Campbell, duke komentuar vendimin e Turqisë për të bllokuar ndalesat e anijes.
“Më shqetëson shumë kur një shtet vendos se cilët turistë lejohen të hyjnë dhe cilët jo”, shtoi ai.
Campbell tha se kjo është hera e parë në 36 vjet që kompanisë së tij “i është thënë në mënyrë të drejtpërdrejtë se nuk mund të ankorohet në një port për shkak të asaj që jemi”.
CNN ka kërkuar një reagim nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Turqisë, Ambasada e Turqisë në Uashington dhe kompania Virgin Voyages, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje.
Fluturime nga Baseli për në Prishtinë dhe anasjelltas me çmime shumë të volitshme Reisebüro Prishtina ofron sherbime të sigurta,...