Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, hodhi poshtë kritikat e presidentit francez, Emmanuel Macron, për ofensivën e Turqisë në Siri kundër milicisë kurde, duke thënë se udhëheqësi francez “sponsorizon terrorizmin”.
“Ai tashmë është sponsori i organizatës terroriste dhe i pret vazhdimisht ata në pallatin presidencial Elize”, tha Cavusoglu.
“Tani për tani, ka një boshllëk në Evropë, (Macron) po përpiqet të jetë udhëheqësi i saj, por udhëheqja vjen natyrshëm”, u tha ai gazetarëve.
Muajin e kaluar, Macron u takua me Jihane Ahmed, zëdhënëse e Forcave Demokratike Siriane (SDF) që gëzojnë mbështetjen e SHBA-së, për të shprehur solidaritetin e Francës në luftën e tyre kundër grupit militant, Shtetit Islamik në Siri.
Turqia e konsideron YPG-në si një grup terrorist dhe është zemëruar nga mbështetja që aleatët e saj i kanë dhënë këtij grupi.
Sulmi turk në veri të Sirisë, i filluar më 9 tetor, u dënua nga aleatët e Ankarasë në NATO, përfshirë Francën.
Më parë të enjten, Macron tha se Turqia nuk mund të priste solidaritet nga aleatët e NATO-s, kur filloi ofensivën e saj në Sirinë verilindore.
Lidhjet midis Turqisë dhe Francës nuk kanë qenë të mira vitet e fundit, por komentet e Macronit dhe Cavusoglut nxjerrin në pah tensionet në rritje përpara samitit të 70-vjetorit të NATO-s javën e ardhshme në Londër.
Reuters raportoi të martën se Turqia po refuzonte të mbështeste një plan të mbrojtjes së NATO-s për vendet Baltike dhe Poloninë derisa të merrte më shumë mbështetje politike për luftën e saj kundër militantëve kurdë në Siri.
“Sidoqoftë, ajo që kërkohet për vendet e Baltikut duhet të bëhet gjithashtu për ne. Ne jemi gjithashtu aleatë”, tha Cavusoglu.
Opel Corsa Hybrid Edition në Foleja Motors vjen si një zgjedhje ideale për ata që kërkojnë një veturë moderne,...