Investimet e reja të biznesit në prona janë në rritje të ndjeshme edhe për këtë vit. Mbështetur në të dhënat e INSTAT, vlera e lejeve të ndërtimit për qëllime jorezidenciale (që përfshin ndërtimet për qëllime tregtare, industriale, zyrat, hotelet, etj.) për gjysmën e parë të këtij viti arriti në 15.1 miliardë lekë ose rreth 155 milionë Euro.
Vlera e investimeve të reja në këto ndërtesa është në rritje me 49% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.Rritja ka ardhur sidomos nga investimet për ndërtimin e hoteleve. 58% e vlerës së ndërtimeve të reja të biznesit është e lidhur me projektet e ndërtimit të hoteleve. Hotelet kanë dhënë edhe kontributin kryesor në rritjen e vlerës, ndërkohë që investimet në ndërtime të tjera, për qëllime tregtare apo industriale, paraqiten në rënie.
Numri i lejeve për gjysmën e parë të vitit, megjithatë, paraqitet me një rënie të lehtë në 151, nga 176 që kishin qenë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Cikli pozitiv i ekonomisë shqiptare në vitet e fundit duket se ka ndikuar pozitivisht edhe investimet e reja të bizneseve në prona. Në veçanti, rritja e turizmit ka rritur kërkesën për kapacitete të reja akomoduese dhe ka nxitur rritjen e investimeve në hotele.Gjithashtu, rritja e tregut të pasurive të paluajtshme dhe perceptimi pozitiv rreth zhvillimeve në këtë treg duket se ka nxitur edhe investimet për ndërtime me përdorim të natyrës tregtare apo industriale.Tendenca në rritje e investimeve në pasuri të paluajtshme po dëshmohet paralelisht edhe nga rritja e financimeve bankare për këtë qëllim.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë për 7-mujorin e këtij viti bizneset kanë marrë rreth 33 miliardë lekë kredi për blerje ose ndërtim të pronave. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kredia e re për prona është rritur me 13%.Normat e ulëta të interesit dhe oferta e lartë e sektorit bankar për kredi kanë ndikuar gjithashtu në nxitjen e investimeve të biznesit në prona. Kredia për pasuri të paluajtshme është bërë tashmë produkti kryesor edhe në segmentin e bizneseve. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, në fund të korrikut portofoli total i kredisë për blerjen e pasurive të paluajtshme nga bizneset arriti në 198 miliardë lekë ose dy miliardë euro./Monitor
Këtë vjeshtë, çantat Lucky Bees janë aksesorët që çdo grua duhet t’i ketë. Me modele tote, crossbody dhe shpine,...