Turistët e huaj shpenzuan në Shqipëri rreth 2,1 miliardë euro në 6-mujorin e parë 2025 - Gazeta Express
string(85) "turistet-e-huaj-shpenzuan-ne-shqiperi-rreth-21-miliarde-euro-ne-6-mujorin-e-pare-2025"

Shqiperi

Gazeta Express

10/09/2025 14:45

Turistët e huaj shpenzuan në Shqipëri rreth 2,1 miliardë euro në 6-mujorin e parë 2025

Shqiperi

Gazeta Express

10/09/2025 14:45

Ngadalësimi i aktivitetit të turizmit në vend po reflektohet dhe në ritmet e rritjes së të ardhurave të parave që ata shpenzojnë në Shqipëri.

Të huajt që kanë ardhur në Shqipëri në 6 muajt e parë të këtij viti kanë shpenzuar rreth 2.1 miliardë euro në 6 muajt e parë të vitit, sipas të dhënave të publikuara në bilancin e pagesave të Bankës së Shqipërisë.

Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të ardhurat nga turistët janë rritur me 7.7%. Ritmet e rritjes së të ardhurave janë ngadalësuar ndjeshëm në raport me vitet e mëparshme.

Për të njëjtën periudhë të 2024-s, të ardhurat nga turizmi ishin rritur me 25.3% dhe në 2023-n me 37.4%.

Ndonëse në rritje, ngadalësimi i flukseve të parave që turistët po shpenzojnë në Shqipëri reflekton faktin që hyrjet e të huajve kanë shënuan tendenca frenimi në pjesën e parë të vitit.

Të dhënat e tjera të INSTAT bënë të ditur, se për periudhën janar-qershor në vend kanë hyrë 4.7 milionë shtetas të huaj, me një rritje prej 4.8% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në 2024-n, për janar-qershor, hyrjet kishin qenë 33% më të larta.

Megjithatë, shpenzimi mesatar për të huaj rezulton të jetë rritur lehtë me një mesatare prej 440 euro për person për 6 mujorin, nga 429 euro të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave të përpunuara nga Monitor, bazuar në shifrat e hyrjeve të shtetasve të huaj nga INSTAT.

Shqiptarët shpenzuan 1.3 miliardë euro jashtë

Ndërsa të huajt vijnë në Shqipëri për pushime, vendasit udhëtojnë në Europë si për qëllime turizmi, të nxitur dhe nga shtimi i linjave ajrore me kosto të ulët, ashtu dhe vizita tek të afërmit emigrantë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, shpenzimet e shtetasve vendas në udhëtimet jashtë ishin 1.3 miliardë euro, me një rritje prej 7.5% me bazë vjetore për 6 mujorin 2025. Ashtu si me të huaj, ritmet e rritjes janë ngadalësuar ndjeshëm, në krahasim me të njëjta periudhë të 2024-s (23.7%) dhe 2023-t (23%).

Vendit i mbeten gati 800 mln euro neto nga turizmi

Bilanci i udhëtimeve prej vitesh është pozitiv teksa paratë që të huajt sjellin në Shqipëri janë më të larta se ato që shqiptarët shpenzojnë jashtë. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, bilanci neto i udhëtimeve ishte gati 800 milionë euro për 6 mujorin, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë./Monitor