T’u jepet burrave HRT: Miliona mund të përfitojnë nga terapia hormonale që rrit dëshirën seksuale - Gazeta Express
string(95) "tu-jepet-burrave-hrt-miliona-mund-te-perfitojne-nga-terapia-hormonale-qe-rrit-deshiren-seksuale"

Keshilla Mjekësore

Gazeta Express

01/01/2026 19:02

T’u jepet burrave HRT: Miliona mund të përfitojnë nga terapia hormonale që rrit dëshirën seksuale

Keshilla Mjekësore

Gazeta Express

01/01/2026 19:02

Shkencëtarët thonë se terapia zëvendësuese me testosteron, e njohur si TRT, mund të sjellë përmirësime “të shpejta dhe të qëndrueshme” në performancën seksuale, energjinë dhe humorin e burrave.

Testosteroni është hormoni kryesor mashkullor, që ndikon nga dëshira dhe funksioni seksual deri te rritja e muskujve. Megjithatë, miliona burra jetojnë me nivele nën optimalen e këtij hormoni.

Në një studim të ri, të publikuar në The World Journal of Men’s Health, shkencëtarë nga Universiteti i Harvardit analizuan reagimin e mbi 9,500 burrave me testosteron të ulët ndaj TRT-së.

Rezultatet treguan se suplementimi me testosteron solli përmirësime domethënëse në të gjitha aspektet e cilësisë së jetës që u vlerësuan, përfshirë: nivelin e energjisë, forcën dhe qëndrueshmërinë fizike, kënaqësinë nga jeta, ndjenjën e lumturisë, fuqinë e ereksionit, performancën në punë dhe aftësinë sportive.

Përmirësimet u vunë re që dy muaj pas fillimit të trajtimit dhe ishin të ngjashme për të gjithë burrat, pavarësisht nivelit fillestar të testosteronit.

Dr. Jeff Foster, drejtor i shëndetit të burrave në Voy, ofruesi më i madh dixhital i TRT-së, tha:

“Rezultatet tona japin një nga pasqyrat më të qarta deri tani se si funksionon TRT tek mijëra burra, në një gamë të gjerë trajtimesh.

Kur niveli i testosteronit bie shumë, burrat mund të përjetojnë lodhje, humor të ulët, shtim në peshë, rënie të libidos, probleme me ereksionin dhe vështirësi përqendrimi, mes simptomave të tjera.”

Sipas NHS, disa burra mund të zhvillojnë edhe depresion në fund të të 40-ave, kur nivelet e testosteronit fillojnë të bien.

Simptoma të tjera përfshijnë rishpërndarje të yndyrës trupore (bark i madh apo zmadhim i gjoksit), probleme me gjumin dhe humbje të masës muskulore.

Dr. Foster shtoi se gjetjet “forcojnë rëndësinë” e trajtimit të bazuar në rrethanat individuale të pacientit dhe jo vetëm në analizat e gjakut.

“Sipas tij, udhëzimet e trajtimit duhet të marrin parasysh moshën e burrit dhe ashpërsinë e simptomave, krahas profilit të tij hormonal, për të siguruar rezultatet më të mira dhe për të shmangur keqpërdorimin.”

Studimet më të fundit tregojnë se burrat përjetojnë një rënie rreth 1 për qind në vit të testosteronit, duke filluar nga mosha 30–40 vjeç.

Edhe pse kjo rënie zakonisht nuk shkakton probleme serioze menjëherë, nivelet e ulëta janë lidhur me rrezik më të lartë për sëmundje të zemrës, osteoporozë, infertilitet dhe me një rritje rreth 40 për qind të rrezikut për vdekje të parakohshme.

Mjekët kanë paralajmëruar prej kohësh se shumë burra mbeten të padiagnostikuar, për shkak të mungesës së informacionit dhe hezitimit për të folur hapur për problemet hormonale.

Një arsye tjetër është se simptomat shpesh ngatërrohen me probleme të tjera.

Më të shpeshtat lidhen me mosfunksionim seksual — gjë e pritshme, duke pasur parasysh rolin qendror të testosteronit në libido. Këto përfshijnë vështirësi në arritjen ose mbajtjen e ereksionit, prodhim më të ulët të spermës apo rënie të dëshirës seksuale.

Këto probleme më pas ndikojnë në punë dhe marrëdhënie, por shpesh keqinterpretohen si stres ose depresion.

Dr. Abraham Morgentaler, një nga studiuesit kryesorë të testosteronit në universitet, tha:

“Ky studim konfirmon diçka që klinicistët e dinë prej të paktën 20 vitesh: burrat me mungesë testosteroni përfitojnë ndjeshëm nga TRT, përfshirë edhe rritjen e kënaqësisë nga jeta.”

Edhe figura publike si Robbie Williams dhe Shaun Ryder kanë folur hapur për përfitimet e trajtimit në rikthimin e energjisë dhe libidos.

Nëse një mjek dyshon për nivele të ulëta testosteroni, zakonisht kërkohet një analizë gjaku. Nivelet “normale” variojnë zakonisht nga 8 deri në 31 nanomol për litër gjaku, në varësi të moshës dhe gjendjes shëndetësore.

Shumica e mjekëve të familjes tregohen të kujdesshëm, por nëse një specialist i hormoneve konfirmon mungesën e testosteronit, mund të ofrohet TRT për lehtësimin e simptomave, në formë injeksioni ose xheli.

Dr. David Huang, drejtor i inovacionit klinik në Voy dhe bashkautor i studimit, përfundoi:

“Ka shumë konfuzion rreth terapisë zëvendësuese me testosteron dhe detyra jonë është të sjellim qartësi.

Po ndihmojmë në zhvendosjen e udhëzimeve klinike drejt një qasjeje më të personalizuar, ku cilësia e jetës së burrit merret në konsideratë krahas shifrave laboratorike.”

Rënia e ndjeshme e testosteronit në moshë të vonë — e njohur si hipogonadizëm i vonshëm — është komplekse dhe mund të shkaktohet nga disa faktorë, jo të gjithë kërkojnë trajtim me TRT.

Në shumicën e rasteve, është pjesë e procesit të plakjes, ku stili i jetesës dhe gjenetika luajnë rol të rëndësishëm.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se obeziteti dhe diabeti kanë kontribuar në rritjen e rasteve me testosteron të ulët. Grumbullimi i yndyrës, si pasojë e dietave të këqija dhe jetës sedentare, nxit shndërrimin e testosteronit në estrogjen, duke çuar në rënie të libidos, probleme me ereksionin dhe shtim në peshë.

Studimet tregojnë se humbja e peshës, në disa raste, mund të rrisë testosteronin edhe pa TRT.

Gjithashtu, disa barna si antidepresantët dhe kimikatet e qëndrueshme në plastikë janë përmendur si faktorë ndikues.

Nga ana tjetër, ekziston shqetësimi se burra të shëndetshëm, pa mungesë reale hormonale, po kërkojnë TRT për të rritur performancën dhe përmirësuar fizikun. Ekspertët paralajmërojnë se kjo mund të jetë e rrezikshme, pasi mund të ndalë prodhimin natyral të testosteronit dhe të rrisë rrezikun e infertilitetit, tkurrjes së testikujve dhe problemeve kardiake.

Në vend të kësaj, profesionistët e shëndetit shpesh sugjerojnë ndryshime në stilin e jetesës: ushtrime force, reduktim të alkoolit dhe përparësi gjumit.

Një studim në revistën Andrology zbuloi se burrat mbi 40 vjeç që flinin më pak se 7–8 orë në natë kishin nivele më të ulëta testosteroni sesa ata që flinin rregullisht mjaftueshëm.

Po ashtu, ushtrimet aerobike rreth 90 minuta, tri herë në javë, janë treguar se rrisin testosteronin brenda vetëm tre muajsh. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement