Trupi i ‘torturuar’ i Navalny-it i dorëzohet nënës së tij - Gazeta Express
string(55) "trupi-i-torturuar-i-navalny-it-i-dorezohet-nenes-se-tij"

Trupi i ‘torturuar’ i Navalny-it i dorëzohet nënës së tij

Lajme

Gazeta Express

24/02/2024 20:49

Trupi udhëheqësit të opozitës ruse, Alexei Navalny, i cili vdiq papritur në burg nëntë ditë më parë, iu dorëzua nënës së tij të shtunën në qytetin Salekhard në Rrethin e Arktikut, tha zëdhënësja e tij.

Në një video të regjistruar para dorëzimit të trupit, e veja e zotit Navalny, Yulia Navalnaya e akuzoi presidentin “demonik” rus Vladimir Putin për “torturimin” e kufomës së një kundërshtari politik.

Lexo Edhe:

Aleatët e zotit Navalny u kërkuan mbështetësve që “të mos heshtin” ndërsa zëdhënësja e tij, Kira Yarmysh, shkroi në rrjetin X se nuk ishte e sigurt që autoritetet ruse do t’i lejonin të afërmit të zhvillonin një funeral “siç dëshiron familja dhe siç e meriton Alexei”.

Në videon e saj gjashtë-minutëshe të publikuar në YouTube, zonja Navalnaya tha se do ta vazhdonte luftën kundër regjimit të Putinit, ndërsa vuri në pikëpyetje besimin fetar të presidentit dhe e akuzoi atë se mbante “peng” trupin e burrit të saj.

Të premten, nëna e Navalny-t, Lyudmila, tha se hetuesit rusë po refuzonin lirimin e trupit të djalit të saj nga një morg në Salekhard derisa ajo të pranonte për një funeral të fshehtë, jashtë syve të publikut.

Zonja Lyudmila tha se një zyrtar i kishte thënë asaj se duhet t’i pranonte kërkesat e tyre, pasi trupi i Navalny-t po dekompozohej.

Të shtunën, ndihmësit e opozitarit të ndjerë thanë se autoritetet e kishin kërcënuar nënën e tij se do ta varrosnin trupin e Navalny-t në oborrin e burgut ku vdiq nëse familja e tij nuk i pranonte kushtet e tyre.

Që nga kthimi në postin e presidentit në vitin 2012, zoti Putin e ka pozicionuar veten si një mbrojtës i vlerave tradicionale, konservatore kundër asaj që ai e cilëson si liberalizëm gërryes perëndimor.

Ai gjithashtu ka trumbetuar afërsinë e tij me Kishën Ortodokse ruse, duke marrë pjesë rregullisht në shërbesat fetare gjatë festave dhe folur për besimin e tij personal. ​

Zonja Navalnaya tha se burri i saj kishte qenë një i krishterë i devotshëm, i cili e frekuentonte shpesh kishën dhe kishte agjëruar Kreshmën madje edhe kur ishte në burg. Ajo tha se përfshirja e tij në politikë ishte frymëzuar nga vlerat e krishtera./VOA