Moska ka reaguar me ironi ndaj grindjes publike mes Donald Trump dhe Elon Musk, duke e shfrytëzuar situatën për të tallur udhëheqësit amerikanë.
Reuters ka përmbledhur në një artikull, disa nga komentet më interesante dhe ironike të zyrtarëve rusë, në lidhje me luftën verbale në rrjete sociale të Trump dhe Musk.
Një zyrtar i lartë rus, Dmitry Rogozin, i është drejtuar Musk-ut në rrjetin X, duke e ftuar të dërgojë bizneset e tij në Rusi, ku do të gjejë “bashkëpunëtorë të besueshëm dhe liri të plotë teknike.”
“Elon, mos u mërzit!” ka shkruar senatori nacionalist Dmitry Rogozin, i cili dikur drejtonte programin hapësinor rus. “Nëse hasni probleme të pakapërcyeshme në SHBA, ejani tek ne. Këtu do të gjeni shokë të besueshëm dhe liri të plotë për kreativitet Teknik,” ka shtuar ai.
Tutje, ish-presidenti Dmitry Medvedev ka ofruar ndihmë për organizimin e bisedimeve paqësore midis tyre, duke pranuar edhe aksione të Starlink si pagesë.
“Jemi gati të ndihmojmë në arritjen e një marrëveshjeje paqeje midis D dhe E për një tarifë të arsyeshme dhe të pranojmë aksione të Starlink si pagesë. Mos luftoni, djem!”
Grindja publike mes presidentit amerikan dhe njeriut më të pasur në botë ishte një objektiv i lehtë për politikanët rusë, të cilët historikisht kanë “festuar” për “trazirat” në Uashington.
Një zyrtar tjetër, Kirill Dmitriev, drejtori i fondit sovran rus, i cili në të kaluarën ka tentuar të bindë Muskun për bashkëpunim me Rusinë në fluturime drejt Marsit, pyeti në X: “Pse nuk mund të pajtohemi të gjithë?” Më pas ai ka pyetur Grok, chatbot-in e inteligjencës artificiale të X, si mund të pajtoheshin Musk dhe Trump.
Ndërsa, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, kur u pyet për përplasjen, ka thënë se ishte çështje e brendshme e SHBA-së, megjithëse ishte i sigurt që Trump do ta menaxhonte atë.
“Presidentët merren me një numër të madh çështjesh në të njëjtën kohë, disa më shumë e disa më pak të rëndësishme,” është shprehur Peskov.
Bëhet e ditur se politikanë të ndryshëm të tjerë rusë ironizuan kulturën politike amerikane, ndërsa disa figura të ashpra nacionaliste e kanë parë grindjen si një përfitim, duke shpresuar që Washington-i të jetë i shpërqendruar dhe duke paralajmëruar sulme ndaj Ukrainës.
aaaaa