Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se ushtria amerikane do të mbetet “në vend” derisa të arrihet një marrëveshje e plotë me Iranin.
Të gjitha anijet, avionët, armët dhe personeli ushtarak amerikan do të qëndrojnë “në vend, brenda dhe përreth Iranit”, shkroi ai në një postim në rrjetin Truth Social vonë të mërkurën.
“Nëse për ndonjë arsye kjo nuk ndodh, gjë që është shumë pak e mundshme, atëherë ‘do të fillojnë të shtënat’, më të mëdha, më të mira dhe më të fuqishme se çfarë ka parë ndonjëherë dikush”, shkroi Trump.
Ai shtoi se Irani duhet të mos ketë “ASNJË ARMË BËRTHAMORE dhe Ngushtica e Hormuzit DO TË JETË E HAPUR DHE E SIGURT”.
Bisedimet midis SHBA-së dhe Iranit pritet të zhvillohen të shtunën në Islamabad, Pakistan.
Trump e përfundoi postimin e tij duke shkruar: “Ndërkohë, ushtria jonë e madhe po përgatitet dhe po pushon, duke pritur, në fakt, për ‘fitimin’ e radhës. AMERIKA ËSHTË KTHYER”.