Gjatë konferencës për shtyp në samitin e NATO-s, Trump u pyet nga një gazetare për një koment të mëhershëm të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, i cili në mënyrë indirekte i tha Tumpit “daddy” apo “baba”.
“I konsideroni aleatët tuaj në NATO si fëmijë?” e pyeti gazetarja. Ndërsa, Trump komentoi me humor:
“Rutte po tregonte afeksion, nuk iu drejtua askujt në veçanti: “Je babi im.”
Trump tutje shtoi: “Më pëlqen ai. Mendoj se unë i pëlqej atij. Nëse jo, do t’jua them, do kthehem dhe do e godas fort, dakord?” u shpreh Trump, duke shkaktuar të qeshura në sallë.
Gazetarja vazhdoi tutje, duke pyetur nëse Trump mendon vërtet se aleatët e NATO-s janë të paaftë për të mbrojtur Europën pa ndihmën e SHBA-së.
Ai u përgjigj duke thënë se vendet europiane “kanë nevojë për pak ndihmë në fillim”, por theksoi se, “do ta mbajnë mend këtë ditë, ata janë të zgjuar.”
Kujtojmë se Rutte dhe Trump mbajtën një konferencë të përbashkët për media, ku një moment, Trump duke folur për luftën mes Izraelit dhe Iranit dhe arritjes së marrëveshjes së armëpushimit, përplasjen mes dy vendeve e ka krahasuar me atë të dy fëmijëve kur zihen në shkollë.
“Ata patën një luftë të ashpër, si dy të fmijë në shkollë, po luftonin keq sa që s’mund t’i ndash”, tha Trump. Më pas, ndërhyri Sekretari i NATO-s me humor , duke thënë se “pastaj babës i duhet ndonjëherë që të përdor gjuhë të ashpër”.