Franca ka njohur zyrtarisht shtetin palestinez, duke u bërë e fundit në një valë vendesh që ndërmarrin këtë hap.
Duke folur në OKB, Presidenti Emmanuel Macron tha se “koha për paqe ka ardhur” dhe se “asgjë nuk e justifikon luftën e vazhdueshme në Gaza”.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump do të flasë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të martën, ashtu si edhe udhëheqësit e aktorëve kryesorë rajonalë si Jordania dhe Katari, raporton BBC.
Të hënën, SHBA nuk mori pjesë në një samit njëditor të organizuar nga Franca dhe Arabia Saudite, i cili u përqendrua në planet për një zgjidhje dy-shtetërore të konfliktit. Shtetet e tjera të G7, Gjermania dhe Italia, gjithashtu munguan.
Belgjika, Luksemburgu, Malta, Andorra dhe San Marino gjithashtu do të njohin shtetin palestinez, pasi Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Australia dhe Portugalia njoftuan njohjen të dielën.
Presioni ndërkombëtar po rritet mbi Izraelin për shkak të krizës humanitare në Gaza dhe ndërtimit të vendbanimeve në Bregun Perëndimor.
Izraeli ka thënë se njohja do ta shpërblente Hamasin për sulmin e grupit të armatosur palestinez më 7 tetor 2023 në Izraelin jugor, në të cilin u vranë rreth 1,200 persona dhe u morën peng 251.
Më shumë se 65,000 palestinezë janë vrarë nga Izraeli që atëherë, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi në Gaza. Forcat izraelite aktualisht po kryejnë një ofensivë tokësore që synon të marrë kontrollin e Qytetit të Gazës, ku jetonin një milion njerëz dhe ku u konfirmua një zi urie muajin e kaluar.