Presidenti amerikan Donald Trump ka paraqitur detaje të reja të planit të tij ambicioz për një sistem mbrojtës raketash “Golden Dome” (Kupola e Artë) me vlerë shumë miliardë dollarë për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara nga sulmet e huaja, duke thënë se ai duhet të kompletohet para se ai të largohet nga detyra.
“Duhet ta përfundojmë brenda tre vjetësh”, u tha Trump gazetarëve ndërsa detajonte planin në Zyrën Ovale të martën.
“Pasi të ndërtohet plotësisht, Kupola e Artë do të jetë e aftë të kapë raketat edhe nëse ato lëshohen nga anët e tjera të botës”.
Kontraktorë të profilit të lartë të mbrojtjes dhe kompani teknologjike – përfshirë SpaceX të Elon Musk – tashmë po konkurrojnë për të marrë këtë punë për të ndërtuar mburojën, duke i bërë propozime direkte Sekretarit të Mbrojtjes Pete Hegseth. Por ekspertët kanë shprehur gjithashtu skepticizëm në lidhje me afatin kohor dhe koston e paraqitur nga Shtëpia e Bardhë – apo edhe fizibilitetin e një projekti të tillë.
Administrata amerikane s’ka qenë e qartë në lidhje me planet e saj për zhvillimin e mburojës raketore, e cila frymëzohet nga sistemi “Kupola e Hekurt” i Izraelit, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.
Ndërsa ende nuk është e qartë se si do të duket saktësisht e ashtuquajtura Kupola e Artë, ka dallime të konsiderueshme në fushëveprim dhe shkallë në mburojën e Izraelit.
Kupola e Hekurt mbron në mënyrë selektive zonat e populluara nga kërcënimet me rreze të shkurtër veprimi në një vend me madhësinë e Neë Jersey-t; Trump dëshiron një sistem mbrojtës nga raketat në hapësirë, i aftë të mbrojë një vend rreth 450 herë më të madh, nga raketat e përparuara balistike dhe hipersonike.
Projekti do të kushtojë rreth 175 miliardë dollarë, tha Trump, dhe do të drejtohet nga Gjenerali Michael A. Guetlein, zëvendësshef i operacioneve hapësinore në Forcën Hapësinore të Shteteve të Bashkuara. Trump tha se 25 miliardë dollarë do të ndahen nga shkurtimi i tij i gjerë i shpenzimeve dhe projektligji i taksave, të cilin ai po i shtyn republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve ta miratojnë.
Ai tha gjithashtu se “Kanadaja na ka thirrur” duke dashur të përfshihet në projekt dhe të mbrohet nën Kupolën e Artë. Në një deklaratë të dhënë për Reuters, zyra e kryeministrit kanadez Mark Carney tha se ai dhe ministrat e tij, së bashku me homologët e tyre amerikanë, po diskutonin se si të negocionin një marrëdhënie të re sigurie dhe ekonomike midis dy vendeve – e cila “natyrisht përfshin forcimin e NORAD-it dhe iniciativave të lidhura si Kupola e Artë”.