Administrata e presidentit Donald Trump ka zhvilluar diskutime për t’i dhënë Iranit akses në deri në 30 miliardë dollarë fonde të kufizuara, si pjesë e një përpjekjeje për të ndërtuar një program bërthamor me përdorim civil.
Sipas CNN, ky program do të kishte si qëllim prodhimin e energjisë dhe jo pasurimin e uraniumit për përdorim ushtarak — një pikë e panegociueshme sipas zyrtarëve amerikanë.
Sipas burimeve, bisedimet me zyrtarë iranianë kanë vazhduar në mënyrë të fshehtë edhe gjatë periudhës së tensionuar me sulme ushtarake të ndërsjella midis Iranit dhe Izraelit. Këto kontakte janë intensifikuar pas arritjes së një armëpushimi të përkohshëm në rajon këtë javë.
Në diskutime kanë marrë pjesë aktorë kyç nga SHBA-ja dhe Lindja e Mesme, të cilët po kërkojnë një mënyrë për të rikthyer Teheranin në tryezën e negociatave bërthamore.
Një takim i rëndësishëm disa-orësh u mbajt të premten e kaluar në Shtëpinë e Bardhë midis të dërguarit të posaçëm amerikan, Steve Witkoff, dhe përfaqësuesve të vendeve të Gjirit. Takimi ndodhi vetëm një ditë para se SHBA të kryente sulme ushtarake ndaj objektivave iraniane.
Burime të njohura me diskutimet thanë se gjatë këtij takimi u prezantuan draft-propozime që përfshijnë investime të konsiderueshme në një program civil bërthamor iranian — pa përfshirë pasurimin e uraniumit.
Ndërsa vlera e diskutuar për projektin arrin deri në 30 miliardë dollarë, zyrtarët amerikanë theksojnë se SHBA-të nuk do të financojnë ndërtimin e programit. Përkundrazi, synohet që vendet partnere arabe të mbulojnë koston e investimeve.
“SHBA-të janë të gatshme të udhëheqin këto bisedime me Iranin. Por dikush tjetër do të duhet të paguajë për ndërtimin e programit – dhe ne nuk do ta marrim këtë angazhim.”, tha një zyrtar i administratës Trump për CNN.
Një nga kushtet kryesore të çdo marrëveshjeje të ardhshme është ndalimi i plotë i pasurimit të uraniumit nga ana e Iranit, një kërkesë të cilën e ka refuzuar më parë, duke e konsideruar të nevojshme për nevojat e tij energjetike civile.
Sidoqoftë, përfshirja e stimujve ekonomikë dhe mbështetja nga vendet e Gjirit mund të krijojë terren të ri për një marrëveshje të mundshme diplomatike.