Pesidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se ka zhvilluar një bisedë telefonike më shumë se një orëshe me presidentin rus, Vladimir Putin, gjatë së cilës janë diskutuar sulmet e fundit me dron të Ukrainës ndaj territorit rus, si dhe zhvillimet e fundit që përfshijnë Iranin.
Sipas Trumpit, gjatë kësaj bisede, Putini i ka thënë se Rusia do të duhet të përgjigjet ndaj sulmeve ukrainase me dron.
“Ishte një bisedë e mirë, por jo një bisedë që do të çojë në paqe të menjëhershme”, ka thënë Trump përmes një postimi në rrjetin e tij social Truth Social.
Ai ka përmendur se Putin ka reaguar fuqishëm pas një sulmi të fundit ndaj disa bazave ajrore në territorin rus, sulm që është cilësuar si pjesë e një operacioni të koduar “Rrjeta e Merimangës” (Operation Spiderweb). Ky operacion, sipas Trumpit, përfshinte përdorimin e dronëve dhe eksplozivëve nga agjentë ukrainas që goditën katër baza ajrore ruse në brendësi të territorit të Rusisë.
Trump shtoi gjithashtu se gjatë bisedës, Putin ka sugjeruar mundësinë e përfshirjes në bisedime me Iranin për të arritur një marrëveshje për çështjen bërthamore, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
“I thashë presidentit Putin se Irani nuk mund të ketë armë bërthamore dhe për këtë besoj se jemi në një linjë të përbashkët”, tha ai.
“Presidenti Putin sugjeroi se do të marrë pjesë në diskutimet me Iranin dhe se ndoshta mund të ndihmojë për të arritur një përfundim të shpejtë të kësaj çështjeje.
Sipas mendimit tim, Irani ka zvarritur marrjen e këtij vendimi për këtë çështje shumë të rëndësishme, dhe ne do të kemi nevojë për një përgjigje përfundimtare brenda një periudhe shumë të shkurtër kohe!”, tha ai.
aaaaa