Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se ndërtimi i një salle të madhe dhe të sigurt të tipit “top sekret”, brenda kompleksit të Shtëpisë së Bardhë, në kryeqytetin Uashington, ku do të mund të mbaheshin takime e ngjarje gala, por edhe ballo, po ashtu, është nevojë emergjente.
Ai bërë këtë koment në rrjetin social Truth Social, pas incidentit të sigurisë që ndodhi me rastin e darkës së përvitshme me gazetarët, të shtunën.
Sipas tij, kjo është arsyeja pse ushtria amerikane, Shërbimi Sekret, organet e rendit dhe presidentët ndër vite kanë kërkuar ndërtimin e një salle të tillë në ambientet e Shtëpisë së Bardhë.
Trump deklaroi se një incident si ai i së shtunës mbrëma, nuk do të kishte ndodhur nëse salla e re, e cilësuar si “top sekret” nga aspekti ushtarak, do të ishte tashmë funksionale.
Presidenti shtoi se objekti për këtë projekt është në ndërtim e sipër dhe përfshin standardet më të larta të sigurisë, duke qenë gjithashtu brenda asaj që ai e quajti “zona më e mbrojtur në botë”.
Punimi për të është ndërprerë si pasojë e një padie ligjore që ka ngritur një qytetare. Trump kërkoi që ajo të tërhiqet në mënyrë që projekti të mos hasë në pengesa të mëtejshme.