Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur ambicien e tij për ta ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës, duke e cilësuar këtë mision si më të rëndësishëm se vetë Çmimi Nobel për Paqen.
Këtë herë Trump kërkon një shpërblim jo tokësor: ‘hyrjen në parajsë’. Në një intervistë telefonike për emisionin “Fox & Friends”, Trump deklaroi se fundi i luftës është një prioritet personal dhe moral për të, duke shtuar në mënyrë ironike se shpreson që një veprim i tillë ta ndihmojë të fitojë vend në parajsë, pavarësisht se, sipas tij, aktualisht është “në fund të renditjes”.
“Nëse mund të shpëtoj 7,000 njerëz në javë nga vrasja, mendoj se kjo është e mjaftueshme. Dua të përpiqem të shkoj në parajsë, nëse është e mundur. Kam dëgjuar se nuk po shkoj mirë… Jam vërtet në fund të listës, por nëse mund të shkoj, kjo do të ishte një nga arsyet”, tha Trump me nota humori.
Trump theksoi se SHBA nuk po humbet trupa në këtë konflikt, por sipas tij, numri i viktimave ukrainase dhe ruse është tejet i lartë, gjë që e shtyn të ndërmarrë hapa drejt një marrëveshjeje paqeje.
“Nuk po humbasim jetë amerikane, por po vriten mijëra rusë dhe ukrainas çdo javë. Duhet të ndalet”, shtoi ai.
Deklaratat vijnë vetëm një ditë pas takimit të Trump me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe disa liderë evropianë në Uashington, ku u diskutuan garanci të mundshme sigurie për Ukrainën, si pjesë e një pakti paqeje.
Trump sugjeroi se si pjesë e një marrëveshjeje përfundimtare, Ukraina mund të duhet të lëshojë disa territore, ndonëse theksoi se “do të jetë në dorën e Zelenskyt të vendosë” për këtë çështje.