Liderët e Kamboxhias dhe Tajlandës kanë mbërritur të hënën në Malajzi për bisedime urgjente të synuara për të siguruar një armëpushim në konfliktin e ashpër kufitar mes tyre.
Reuters raporton se një zyrtar nga Malajzia ka njoftuar se të pranishëm në takim janë edhe ambasadorët e SHBA-së dhe Kinës në Malajzi, ndërsa takimi po mbahet në rezidencën e kryeministrit malajzian Anwar Ibrahim, i cili është edhe kryetar i bllokut rajonal ASEAN.
Kujtojmë se si Tajlanda, ashtu edhe Kamboxhia, akuzojnë njëra-tjetrën për nisjen e luftimeve javën e kaluar dhe më pas për përshkallëzimin e përplasjes me bombardime të rënda artilerie në disa pika përgjatë kufirit të tyre tokësor 817-kilometra, konflikti më vdekjeprurës mes fqinjëve të Azisë Juglindore në më shumë se një dekadë.
Kryeministri kamboxhian Hun Manet ka njoftuar se bisedimet janë bashkëorganizuar nga Malajzia dhe Shtetet e Bashkuara, ndërsa do të marrë pjesë edhe Kina.
“Qëllimi i këtij takimi është arritja e një ‘armëpushimi’ të menjëhershëm, i iniciuar nga Presidenti Donald Trump dhe i pranuar nga kryeministrat e Kamboxhias dhe Tajlandës,” ka shkruar Hun Manet në një postim në X.
Trump tha të dielën se ai beson që si Tajlanda ashtu edhe Kamboxhia duan t’i zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre, pasi u kishte bërë të ditur udhëheqësve të të dy vendeve se nuk do të nënshkruante marrëveshje tregtare me ta nëse nuk ndalonin luftimet.
Gjithçka që keni ëndërruar, por nuk keni mundur ta blini ose nuk keni pasur kohë për procedura të gjata,...