Përderisa gjatë ditës së sotme pritet të nisin bisedimet e para të drejtpërdrejta mes Ukrainës dhe Rusisë që nga fillimi i pushtimit rus më 2022, presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se mund të shkojë në Stamboll të premten, nëse do të ketë përparime gjatë ditës së sotme.
Sipas The Guardian, duke folur nga Katari, gjatë vizitës së tij katërditore në Lindjen e Mesme, Trump tha se shpreson që Rusia dhe Ukraina të “bëjnë diçka”, pasi lufta “duhet të ndalet”.
“Do të donim ta shihnim [luftën] të përfunduar dhe mendoj se kemi një shans për ta arritur këtë,” ka shtuar Trump.
Rikujtojmë se këto bisedime ishin propozuar nga presidenti rus, Vladimir Putin, disa orë pasi Ukraina dhe shtetet evropiane i bënë thirrje Moskës që të pajtohej për një armëpushim të pakushtëzuar 30-ditor. Ndërkohë, pas fjalimit të Putinit, Zelensk deklaroi se ishte i gatshëm të takohej me Putinin në Turqi.
Megjithatë, Kremlini të mërkurën ka bërë të ditur se presidenti rus nuk do të marrë pjesë në këto bisedime dhe se delegacioni i Rusisë do të drejtohet nga ish-ministri i Kulturës, Vladimir Medinsky, i cili kishte marrë pjesë në bisedimet e dështuara të vitit 2022 në Stamboll.
Nga burimet ruse thuhet se do të jenë sot, kurse burimet ukrainase thonë se do të jenë nesër.
Në anën tjetër, presidenti Volodymyr Zelensky do të takohet fillimisht me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan në Ankara. Por, ai e ka bërë të qartë se nuk do të negociojë me askënd tjetër përveçse me liderin rus.