Presidenti i SHBA-së, Donald Trump përsëriti të enjten dëshirën e tij që të gjitha vendet anëtare të NATO-s të shpenzojnë 5% të PBV-së së tyre për buxhetet e tyre të mbrojtjes.
Ai, këtë gjë e tha ndërsa foli virtualisht në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër, të enjten.
“Ndërsa rivendosim sensin e përbashkët në Amerikë, ne po lëvizim shpejt për të rikthyer forcën, paqen dhe stabilitetin jashtë vendit”, tha Trump duke folur nga Shtëpia e Bardhë të enjten.
“Unë do t’u kërkoj gjithashtu të gjitha vendeve të NATO-s që të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 5% të PBV-së, që është ajo që duhet të ishte vite më parë”, tha ai.
“Ishte vetëm në 2% dhe shumica e kombeve nuk paguanin derisa erdha unë”, shtoi presidenti. “Kam insistuar që ata të paguajnë, dhe ata e bënë, sepse Shtetet e Bashkuara po paguanin vërtet diferencën në atë kohë”.
Tregtia ishte gjithashtu pjesë e fjalimit të tij, pasi ai përsëriti kërkesën e tij të kahershme që bizneset t’i japin përparësi prodhimit amerikan.
Mesazhi i tij ishte i thjeshtë: kompanitë që zgjedhin të prodhojnë jashtë Amerikës do të përballeshin me pasoja financiare.
“Mesazhi im për çdo biznes në botë është shumë i thjeshtë: Ejani të bëni produktin tuaj në Amerikë dhe ne do t’ju japim ndër taksat më të ulëta të çdo kombi në Tokë. Por nëse nuk e bëni, do t’ju duhet të paguani një tarifë”, ka thënë më tej ai.
Trump njoftoi se kompanitë prodhuese brenda Shteteve të Bashkuara do të përfitojnë nga një ulje e taksave të korporatave, duke rënë nga 21% në 15%.
Ai pretendoi se kjo do të ishte “shkalla më e ulët e taksave” midis kombeve më të mëdha dhe ekonomikisht më të fuqishme në botë.
Gjithçka që keni ëndërruar, por nuk keni mundur ta blini ose nuk keni pasur kohë për procedura të gjata,...