Në vazhdën e shumë paralajmërimeve të presidentit amerikan Donald Trump, ka ardhur edhe një paralajmërim tjetër ndaj gjigantit të teknologjisë Apple.
Trump ka shkruar në rrjetin e tij Truth Scoial, duke kërkuar që prodhimi i iPhone-ve të zhvendoset në SHBA, përndryshe kompania do të përballet me një tarifë prej të paktën 25%.
Duke postuar në rrjetin e tij social, Trump ka shkruar:
“Kam informuar prej kohësh Tim Cook të Apple se pres që iPhone-të që do të shiten në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të prodhohen dhe ndërtohen në SHBA, jo në Indi apo diku tjetër.
Nëse kjo nuk ndodh, Apple duhet të paguajë një tarifë prej të paktën 25% ndaj SHBA-së. Faleminderit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje!”
Kjo duket të jetë përpjekja më e fundit e presidentit amerikan për ta detyruar Apple të zhvendosë linjat e prodhimit në territorin amerikan. Kujtojmë se vetëm javën e kaluar, Trump shprehu se kishte një “problem të vogël” me Tim Cook, pasi dolën raportime se Apple planifikonte të zhvendosë montimin e iPhone-ve për tregun amerikan nga Kina në Indi.