Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump tha se Itani dhe Izraeli duhet dhe do ta arrijnë një marrëveshje, duke përmendur në mesin e disa shembujve marrëveshjen Kosovë-Serbi të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në shtator të vitit 2020, gjatë mandatit të tij të parë.
Trump shkroi në “Truth Social” se e kishte ndalur një konflikt që “ishte gati të shpërthente në luftë”.
Ndërsa ndalet te çështja Kosovë-Serbi, presidenti amerikan shkruan se “do ta rregullojë” situatën, pasi tha se paraardhësi i tij Joe Biden “e ka dëmtuar” atë.
“Irani dhe Izraeli duhet ta bëjnë një marrëveshje, dhe do ta bëjnë një marrëveshje, ashtu siç e bëra unë Indinë dhe Pakistanin të arrijnë një marrëveshje, në atë rast duke përdorur TREGTINË me Shtetet e Bashkuara për të sjellë arsye, kohezion dhe mendje të kthjellët në bisedimet me dy udhëheqës të shkëlqyer që ishin në gjendje të merrnin një vendim shpejt dhe të NDALOJNË! Gjithashtu, gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova ishin duke e përshkallëzuar situatën me intensitet, siç kanë bërë për shumë dekada, dhe ky konflikt i vjetër ishte gati të shpërthente në LUFTË. Unë e ndala (Biden e ka dëmtuar perspektivën afatgjatë me disa vendime shumë të marra, por unë do ta rregullojë, përsëri!). Një tjetër rast është Egjipti dhe Etiopia, dhe lufta e tyre mbi një digë masive që po ndikon në lumin madhështor Nil. Ka paqe, të paktën për tani, për shkak të ndërhyrjes sime, dhe do të mbetet kështu! Po ashtu, do të kemi PAQE, së shpejti, midis Izraelit dhe Iranit! Shumë telefonata dhe takime po zhvillohen tani. Bëj shumë, dhe nuk marr kurrë meritë për asgjë, por është OK, POPULLI e kupton. BËJE LINDJEN E MESME TË MADHE PËRSËRI!”, shkroi Trump.
Izraeli dhe Irani po vazhdojnë sulmet ndaj njëri-tjetrit për të tretën ditë radhazi me kërcënime të ndërsjella për të përdorur forcë edhe më të madhe.