Dikur një element dramatik i hyrjes së Shtëpisë së Bardhë, portreti zyrtar i ish-presidentit Barack Obama është zhvendosur në një vend dukshëm më pak të spikatur, duke nënvizuar tensionet shumëvjeçare mes presidentit të 44-t dhe atij të 47-të.
Portretet e paraardhësve të tjerë të afërt me të cilët presidenti Donald Trump ka marrëdhënie të tensionuara, ish-presidenti George W. Bush dhe babai i tij, George H. W. Bush, janë zhvendosur gjithashtu.
Trump ka urdhëruar stafin ta zhvendosë portretin e Obamës në majë të Shkallëve të Mëdha, kanë thënë për CNN dy burime të njohura me çështjen, ku tani nuk do të jetë më në pamje të mijëra vizitorëve që e vizitojnë Shtëpinë e Bardhë çdo ditë. Një nga burimet shtoi se portretet e të dy Bushëve gjenden gjithashtu tani në zonën e shkallëve.
Shumë burime kanë thënë se presidenti është i përfshirë drejtpërdrejt në pothuajse në gjithçka që lidhet me estetikën e Shtëpisë së Bardhë, qofshin gjëra të mëdha apo të vogla.
CNN ka siguruar një foto të portretit të Obamës të varur në majë të shkallëve, në një cep, pranë hyrjes së rezidencës private. Ajo zonë është shumë e kufizuar për anëtarët e familjes së parë, agjentët e Shërbimit Sekret të SHBA-së dhe një numër të kufizuar të stafit të Shtëpisë së Bardhë dhe të rezidencës ekzekutive. Është plotësisht jashtë pamjes për çdo vizitor që shpreson ta shohë pikturën fotorealiste të Robert McCurdy-t të ish-presidentit, ka konfirmuar një burim i njohur me çështjen.
Nuk është hera e parë që piktura e Obamës zhvendoset. Në prill, portreti i Obamës u zhvendos përballë Hollit të Madh të Shtëpisë së Bardhë dhe u zëvendësua me një pikturë të një skene ikonike të Trumpit duke mbijetuar nga një tentativë atentati në Butler, Pensilvani.
Protokolli dhe precedenti i Shtëpisë së Bardhë kërkojnë që portretet e presidentëve më të fundit amerikanë të vendosen në mënyrën më të spikatur, në hyrje të rezidencës ekzekutive, në mënyrë që të jenë të dukshme për mysafirët gjatë ngjarjeve zyrtare dhe për vizitorët gjatë tureve.
Një portret i ish-presidentit Joe Biden ende nuk është përfunduar.
Lëvizjet me portretin shënojnë goditjen e fundit të Trumpit kundër një rivali të perceptuar politik.
Kjo vjen ndërsa tensionet mes Trumpit dhe Obamës janë përshkallëzuar muajt e fundit. Së fundmi, Trump e ka akuzuar Obamën dhe anëtarë të administratës së tij për tradhti gjatë zgjedhjeve të vitit 2016, duke nxitur një deklaratë të rrallë nga paraardhësi i tij, zyra e të cilit i quajti pretendimet “të turpshme”, “të çuditshme” dhe “një përpjekje të dobët për shpërqendrim”.
Prokurorja e përgjithshme e presidentit, Pamela Bondi, më pas urdhëroi prokurorët ta fillojnë një hetim nga një juri e madhe për pretendimet se zyrtarë të lartë të administratës Obama kanë fabrikuar të dhëna të inteligjencës mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016.
Ka pasur gjithashtu tensione të gjata mes Trumpit dhe familjes Bush. Bushi i vjetër, i cili vdiq në vitin 2018, e quajti Trumpin një “pallavraxhi” në një biografi dhe votoi për Hillary Clinton në zgjedhjet e vitit 2016. George W. Bush, të cilin Trump e ka sulmuar si “president i dështuar dhe i pashpirt”, dhe ish-zonja e parë Laura Bush, morën pjesë në inaugurimin e presidentit në vitin 2025, por nuk morën pjesë në drekën pas ceremonisë.
CNN ka kërkuar komente nga Shtëpia e Bardhë dhe Shoqata Historike e Shtëpisë së Bardhë. Një zëdhënës i zyrës së Obamës ka refuzuar të komentojë.
Gjatë mandatit të parë të Trumpit, ai zëvendësoi portretet e Bill Clintonit dhe George W. Bushit në Hollin e Madh, duke zgjedhur në vend të tyre të theksojë William McKinley dhe Theodore Roosevelt.
I financuar privatisht nga organizata jofitimprurëse Shoqata Historike e Shtëpisë së Bardhë, tradita formale e portretit presidencial nisi në fillim të viteve 1960 nën zonjën e parë Jacqueline Kennedy, sipas ish-kuratores së Shtëpisë së Bardhë, Betty Monkman. Para kësaj, kishte një politikë relativisht “të çrregullt”, tha Monkman në një podcast të vitit 2017 për shoqatën, ku portretet financoheshin nga Kongresi ose porositeshin nga miqtë – ose nga vetë presidenti.
Në epokën moderne të portreteve të Shtëpisë së Bardhë, presidentët dhe zonjat e para kanë ftuar paraardhësit e tyre, ish-stafin dhe miqtë e familjen për ceremonitë e zbulimit.
“Është një shenjë bujarie nga presidenti dhe zonja e parë në detyrë t’i ftojnë të gjithë këta njerëz nga një administratë që ka dalë”, tha Monkman, duke kujtuar një ceremoni gjatë administratës Johnson për zbulimin e portretit të Eleanor Roosevelt.