Qëndrimet dhe gjuha e forcës së Presidentit Trump në raport me peshën kritike që mbart Grenlanda për sigurinë e SHBAve, jo vetëm i kanë hedhur benzinë “zjarrit të armiqësive”, në Pekin dhe Moskë, por edhe “debateve rreth (pa)legjitimitetit ndërkombëtar”, të kancelarive, apo burokracisë evropiane. Në pamundësi për t’iu përgjigjur çdo studioje televizive, në vijim gjeni: “Përmbledhje rreth pozitës gjeografike, interesave ekonomike dhe peshës strategjike që mbart ky (super)ishull për SHBA-në, NATO-n, si dhe shpresës ndaj Rendit të Ri të Sigurisë Globale”:
Shkruan: Gjeneral Piro Ahmetaj
Pozita, rrethanat dhe pesha gjeostrategjike e Grenlandës:
Në vitin 1814, Grenlanda, ishulli më i madh në botë (2 herë më i madh se Franca dhe Gjermania së bashku) kaloi nën kurorën daneze; në 1953 kapërceu statusin e “kolonisë’ si dhe në 2008, fitoi vetëqeverisje të plotë. Edhe pse në shumicë përbëhet nga akullnaja të pabanuara, nëntoka përmban minerale të rralla, si litium, bakër, grafit etj., të cilat shërbejnë si lëndë thelbësore për teknologjitë moderne.
Përtej kakofonisë së të gjithëditurve dhe kudogjendurve në studiot televizive; përkundër makinerisë helmuese të dezinformimit, deep fake dhe kundërshtive të z. Macron, apo dhe tmerrit të putinistëve etj., vlen të sillet në vëmendjen publike se sipërfaqja, pra tërësia territoriale e Grenlandës, është mbi 2.166 milionë km² (rreth 10 herë më shumë se të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, pra RSH, Kosovë, Mali i Zi, Serbi, Bosnje-Hercegovinë dhe Maqedonia e Veriut), por me një popullsi më pak se 57 mijë banorë si dhe me GDP fare modeste, rreth 6 miliardë euro.
E vendosur midis Oqeanit Arktik dhe Atlantik, si dhe në kryqëzimin e Amerikës së Veriut me Evropën, pra nga pozita gjeostrategjike Grenlanda mban peshë thelbësore për mbrojtjen raketore të SHBA-ve, si dhe për përgjegjësinë e ushtrimit të nenit 5 të NATO-s. Njëkohësisht, mbart peshë kritike në rivalitetin dhe mbajtjen e supremacisë ushtarake të SHBA-ve ndaj Rusisë dhe Kinës. Prandaj, që nga Lufta e 2 Botërore, instalimet ushtarake (baza ajrore dhe hapësinore) janë pjesë integrale e sistemit të vëzhgimit dhe mbrojtjes raketore të SHBA-ve.
Duke konsideruar sipërfaqen, pozitën gjeografike, distancën (mbi 3.500 km nga Kopenhaga), si dhe (pa)fuqinë ushtarake, është e gjithëditur dhe e gjithëpranuar se Danimarka e ka tërësisht të pamundur të ushtrojë, “me vete ose qoftë edhe në Aleancë me 31 vendet e NATO-s (pa SHBA-të)”, mbrojtjen e tërësisë territoriale, të burimeve ekonomike dhe interesave gjeostrategjike të super-Ishullit, apo dhe të vetëm-përballet me armiq potencialë si Rusia dhe Kina. E njëjta gjë vlen edhe në koalicion me Francën, apo edhe me të gjitha vendet e BEsë, të cilat jo vetëm që nuk janë të ekspozuara ndaj kërcënimeve që pozita gjeostrategjike e ishullit paraqet por dhe nuk kanë fuqi ushtarake të krahasueshme me SHBA-të.
Rëndësia kritike e ishullit për mbrojtjen raketore dhe interesat gjeostrategjike të SHBA-ve:
Qasja e fortë e SHBA-ve ndaj Grenlandës nuk erdhi as brenda një viti, as vetëm gjatë mandatit të parë të Presidentit Trump, pasi, ashtu si rëndësia gjeostrategjike e Ishullit, edhe përpjekjet amerikane kanë qenë konstante. Kështu, SHBA-të kanë negociuar për blerjen e saj nga Danimarka për 100 milionë dollarë që në vitin 1946, deri te oferta e fundit e Presidentit Trump: 100 mijë dollarë për çdo banor, ose rreth 5.7 miliardë dollarë në vitin 2025. Danimarka e ka refuzuar me vendosmëri këtë ofertë, pasi “ishulli shihet si pjesë integrale e mbretërisë, si dhe e identitetit dhe sovranitetit kombëtar”. Gjithsesi, në vitin 1951 Danimarka dhe SHBA-të nënshkruan “Marrëveshjen për Mbrojtjen e Grenlandës”, e cila (pa cenuar integritetin territorial) u lejon SHBA-ve prezencë ushtarake, pra të ndërtojnë baza, si pjesë integrale e ombrellës mbrojtëse raketore/ajrore të SHBA-ve si dhe të NATOs, sa/kurdoherë që të konsiderohet e nevojshme.
Edhe pse Presidenti Trump, kurrë nuk e ka përmendur “pushtimin ushtarak të Grenlandës”, është po ashtu fakt i kryer, që si edhe në arrestimin e bandit-Maduro, e ka bërë shumë të qartë se: “SHBA-të nuk do t’i marrin askujt leje për të përdorur fuqinë ushtarake ndaj çdo vendi që paraqet kërcënim për integritetin territorial, jetën, standardet dhe mënyrën e jetesës së popullit amerikan”. Ky demonstrim force, ose si vendosmëri e Projektit Trump-2: “paqe e imponuar nëpërmjet përdorimit të forcës”, që shërben gjithashtu si garanci shtesë edhe për mbrojtjen e 32 vendeve të NATO-s (Artikulli-5).
Qasja e SHBA-ve ndaj Grenlandës tejkalon krizën e demokracisë fasadë dhe (pa) fuqinë burokratike të BE, si dhe fundin pa lavdi të KS/OKB-së 1945. Për ta ilustruar, do mjaftonin disa shembuj, si gjenocidi i Srebrenicës në sy ose prezencë të helmetave-blu; 22 vite negociata dhe rezoluta ndaj Ajatollahut të Iranit për ndalimin e programeve bërthamore; agresioni ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës; deri te arrestimi i Maduros, i cili e kishte shndërruar Venezuelën në një parajsë ruso-kineze dhe të narkoterrorizmit, duke kërcënuar jetën, sigurinë dhe interesat e SHBA-ve.
Në shtesë, lëshimi i ishujve apo territoreve kundrejt marrëveshjeve nuk përbën precedent të panjohur. Për shembull, UK ia dorëzoi Mauritius-it, ishullin Chagos, të cilin e kishte nën administrim që nga 1815, pra për më shumë se 210 vjet. Ndërsa “revolta evropiane” të kryesuar nga Franca, na kujton rezistencën ndaj detyrimit të 2% të GDP-së për mbrojtjen si dhe qëndrimet e 2019, të z. Macron: “NATO po përjeton vdekje klinike, pasi Uashingtoni po i kthen shpinën Evropës”. Ndërkohë, 6 vjet më vonë, si të gjitha vendet e NATO-s, edhe Franca, ka kaluar nga 1 në +2% të GDP!
Mesazhe ose kambanat që s’bien vetëm për Grenlandën:
Përkundër oshilacioneve Enveriste “ShBA/xhandar ndërkombëtar” si dhe rendit të vjetër bazuar në “sigurisë falas/dhuratë nga SHBA-të”, në Rendin e Ri Global, dominuar nga fuqia e pakonkurrueshme dhe interesat e SHBA-ve: “Mbrojtja e sovranitetit si dhe zhvillimi i interesave gjeopolitike të RSH-së dhe Kosovës mund të realizohen vetëm duke forcuar më tej bashkëpunimin strategjik me SHBA-të dhe NATO”. Fatmirësisht këtë opsion e gjej të ndërthurur edhe me interesat e SHBA-ve në rajon dhe Mesdhe, si dhe reciproke ndaj mirënjohjes mbarëkombëtare për mbështetjen 114-vjeçare të SHBA-ve për pavarësinë e RSH-së dhe çlirimin e Kosovës; për anëtarësimin në NATO, ngritjen e SPAK-ut etj., si dhe ndaj kontributeve të RSH-së pas 1996, ku mbi 12 mijë burra dhe gra me uniformë kanë shërbyer krah trupave amerikane në Ballkan, Irak, Afganistan, Lindjen e Mesme, Gjeorgji, Ukrainë etj..
Duke riduartrokitur pjesëmarrjen e RSH/ Kosovës si “bashkëthemelues të Bordit Trump të Paqes; rritjen e Buxhetin të Mbrojtjes si dhe marrëveshjen (jo Aleancën!) mes Kroacisë, Kosovës dhe RSH në fushën e mbrojtjes”, faktorët shtetërorë në Tiranë dhe Prishtinë do t’i këshilloja të përulen/mi në gjunjë para historisë së përgjakshme për t’i dhënë jetë Platformës: “2-Shtete sovrane, 1-Komb i Vetëm”, e cila do të kontribuojë për paqen si dhe integrimin euroatlantik të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ndërsa përkundër rikthimit të frikshëm të garës së armatimeve në Ballkan dhe armatosjes deri në dhëmbë të Serbisë, objektivin e RSH-së për 5% të GDP-së e shoh si legjitimitet ndërkombëtar (SHBA/NATO/ BE), por edhe si mundësi historike për zhvillimin e fuqisë ushtarake, përfshirë kapacitete deterrence ndaj çdo vendi apo aleance që kërcënon sovranitetin dhe interesat gjeopolitike të RSH-së dhe Kosovës.
Ndërsa, për të tejkaluar këtë udhëkryq hibride: “shtetin e kapur nga korrupsioni endemik, opozitën/kompani e falimentuar dhe neveritur”, rikthimi i besimit te demokracia funksionale dhe pushtetet e balancuara mbetet jo vetëm prioritet nr. 1, por edhe misioni jetik i mbarë shqiptarëve.
Në përmbledhje, duke përsëritur rëndësinë kritike që ka forcimi i partneritetit strategjik me SHBA-të, mbetem besimplotë se falë fuqisë ushtarake të pakonkurrueshme amerikane: “shpresa e paqes, rendi i ri global dhe vlerat e qytetërimit do të triumfojnë mbi neo-stalinistët dhe neo-millosheviçët, mbi demokracinë burokratike dhe shtetet e dështuara, si dhe mbi organizatat apo bandat narkoterroriste”.
/Gazeta Panorama