Presidentin amerikan Donald Trump nuk e kanë mbajtur nervat, kur është pyetur mbi avionin dhuratë nga Katari, që do të përdoret si “Air Force 1”.
Zemërimi i Donald Trump u provokua nga pyetja e gazetarit të NBC-së, Peter Alexander, në lidhje me avionin luksoz që Katari i dhuroi Shteteve të Bashkuara, me presidentin amerikan që e quajti atë “budalla” dhe “idiot”.
“Pse po flet për këtë? Çfarë po më pyet? E di, do të na duhet të të nxjerrim jashtë. Çfarë lidhje ka kjo me Katarin?”, ia ktheu Trump, pasi pyetja u bë gjatë bisedës së tij me presidentin e Afrikës së Jugut.
“Po u japin Forcave Ajrore të SHBA-së një aeroplan. Në rregull? Dhe kjo është një gjë e shkëlqyer. Ne diskutojmë shumë gjëra të tjera këtu. A po përpiqet NBC të ndryshojë axhendën e temës që sapo patë?”, tha Trump, me acarimin e tij të dukshëm në fytyrë.
Në vijim, Presidenti nuk e ndali sulmin ndaj gazetarit, duke i thënë: “Je vërtet një person i tmerrshëm.”
“Para së gjithash, nuk ke atë që duhet për të qenë gazetar. Nuk je as i zgjuar. Duhet të kthehesh në studion e NBC sepse ata që drejtojnë median duhet të hetohen. Ata janë kaq të tmerrshëm në mënyrën se si e drejtojnë rrjetin”, vazhdoi presidenti amerikan sulmin e tij personal ndaj gazetarit.
Trump më pas i ndaloi gazetarit të bënte një pyetje tjetër, duke e quajtur atë një “turp”.
Megjithatë, acarimi i Trump zgjati disa minuta, pasi në një pyetje të mëvonshme në lidhje me akuzat e tij për gjenocid ndaj të bardhëve në Afrikën e Jugut, ai tha: “Nëse lajmet nuk do ishin të rreme, si në NBC, që janë lajme të rreme… Nëse nuk do ishin lajme të rreme si ky idioti që kemi këtu“, duke bërë me gisht nga gazetari Peter Alexander.
“Vetëm fermerë të bardhë po vriten dhe ai po pyet për një avion që na u dhurua. Duhet të turpërohesh nga vetja. Je kaq i keq, je një gazetar kaq i keq. Pse na dhanë një aeroplan për Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara? Kjo është ajo që thotë ky idiot pasi pa diçka ku mijëra njerëz…“, përfundoi Trump sulmin e tij ndaj gazetarit të NBC.