string(76) "trump-e-quan-putinin-krejtesisht-te-cmendur-paralajmeron-per-renien-e-rusise"

Lajme

Gazeta Express

26/05/2025 9:32

Trump e quan Putinin “krejtësisht të çmendur”, paralajmëron për “rënien” e Rusisë

Lajme

Gazeta Express

26/05/2025 9:32

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e quajti “plotësisht të çmendur” presidentin rus, Vladimir Putin, pas një sërë sulmesh vdekjeprurëse ruse në Ukrainë, dhe paralajmëroi se nëse ai përpiqet të pushtojë tërë Ukrainën, kjo do të çojë në “rënien e Rusisë”.

Këto ishin deklaratat më të ashpra që Trump ka bërë ndonjëherë publikisht ndaj liderit të Kremlinit.

“Kam pasur gjithmonë një marrëdhënie shumë të mirë me Vladimir Putinin, por diçka ka ndodhur me të. Ai është bërë KREJTËSISHT I ÇMENDUR!” shkroi Trump më 25 maj në platformën e tij, Truth Social.

“Ai po vret njerëz pa nevojë – dhe nuk po flas vetëm për ushtarët. Raketat dhe dronët po godasin qytetet ukrainase pa asnjë arsye”, shtoi Trump.

“Gjithmonë kam thënë se ai e do tërë Ukrainën, jo vetëm një pjesë të saj – dhe ndoshta kjo po del të jetë e vërtetë – por nëse e bën, kjo do ta çojë Rusinë në rënie!”

Këto komente erdhën vetëm pak pas deklaratave të ngjashme që Trump bëri para gazetarëve.

“Nuk jam aspak i kënaqur me atë që po bën Putini. Ai po vret shumë njerëz, dhe nuk e di çfarë dreqin ka ndodhur me të”, tha Trump para gazetarëve në Nju Xhersi, ndërsa po përgatitej të kthehej në Uashington.

“Po lëshon raketa në qytete dhe po vret njerëz – kjo nuk më pëlqen aspak”, u shpreh ai i zemëruar nga pista e aeroportit të Morristaunit.

“Jemi në mes të diskutimeve, dhe ai po godet Kievin dhe qytete të tjera me raketa. Nuk më pëlqen aspak. Jam i habitur. Shumë i habitur”.

“Diçka i ka ndodhur këtij njeriu – dhe nuk më pëlqen”.

Trump tha se do të shqyrtonte “absolutisht” vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë për të shtyrë përpara bisedimet e paqes, ndonëse nuk dha hollësi.

Por, në postimin e mëvonshëm në rrjetet sociale, ai kritikoi ashpër edhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke thënë: “Zelensky nuk po i bën ndonjë shërbim vendit të tij me mënyrën si flet. Gjithçka që thotë sjell probleme, nuk më pëlqen dhe duhet të ndalet”.

Këto komente erdhën pasi Zelensky, në një kritikë të rrallë publike ndaj aleatit më të rëndësishëm të Ukrainës, dënoi atë që e quajti “heshtje e Amerikës” pas sulmeve ruse gjatë fundjavës që lanë të paktën 13 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur.

“Heshtja e Amerikës, si edhe e të tjerëve në botë, vetëm e inkurajon Putinin”, shkroi Zelensky më 25 maj.

Disa orë para deklaratave të Trumpit dhe pas fjalëve të Zelenskyt, i dërguari amerikan, Keith Kellogg, i quajti sulmet ndaj Kievit “të turpshme” dhe bëri thirrje për armëpushim.

“Vrasja pa dallim e grave dhe fëmijëve natën nëpër shtëpitë e tyre është shkelje e qartë e Protokolleve të Gjenevës të vitit 1977… Të ndalen vrasjet”, shkroi ai në llogarinë e tij në platformën X.

Në orët e para të 26 majit, zyrtarët ukrainas thanë se Rusia kishte nisur një valë të re sulmesh, por pa dhënë hollësi.

Ndërkohë, aleatët evropianë të Ukrainës vazhduan të dënonin ashpër sulmet e fundit të Rusisë dhe theksuan nevojën për të mbështetur më tej Kievin.

“Sulmet e mbrëmshme tregojnë edhe një herë se Rusia është e përkushtuar për të shkaktuar vuajtje dhe shkatërrim në Ukrainë”, shkroi shefja e diplomacisë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas.

Ajo bëri thirrje për “presionin më të fuqishëm ndërkombëtar ndaj Rusisë që ta ndalë këtë luftë”.

Ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavsky, tha gjatë një debati televiziv se sulmet janë “dëshmi shtesë se Rusia nuk ka interes për paqe”.

Ndërkaq, ministri gjerman, Johann Wadephul, i cili kishte vizituar Ukrainën më herët gjatë muajit, më 25 maj u bëri thirrje aleatëve të Ukrainës që të “reagojnë me vendosmëri”.

“Nuk mund ta pranojmë këtë”, tha ai për televizionin gjerman. Putini “po shkel të drejtat e njeriut, është një fyerje – edhe ndaj presidentit Trump, i cili është përpjekur aq shumë që ta sjellë Putinin në tryezën e bisedimeve”.

Këto zhvillime ndodhën në një ditë të shënuar nga viktima civile dhe shkatërrime në Ukrainë, por edhe nga pamje të gëzueshme me kthimin e qindra të burgosurve të luftës nga Rusia, në kuadër të shkëmbimit masiv të quajtur “1000 për 1000”.

“Mirë që jam në shtëpi. Gjithçka do të jetë në rregull. Nuk kam fjalë”, tha për Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë ushtari Oleksandr, i cili ishte kapur më 27 korrik 2022 në Avdijivka, në lindje të Ukrainës.

“Gruaja dhe djali po më presin. Do të flasim së shpejti”, shtoi ai.

“Nuk e besoj ende se kjo ditë erdhi”, tha një tjetër ushtar për Radion Evropa e Lirë, duke mos dhënë emrin.

“Nuk dija sa do të qëndroja atje… Nuk kishim informacione. Për tre vjet nuk dinim çfarë po ndodhte në vendin tonë”.

Ndërkohë, mediat ruse raportuan se 303 ushtarë rusë të liruar nga Ukraina kishin mbërritur në Moskë më 25 maj dhe do t’i nënshtrohen trajtimit mjekësor dhe rehabilitimit.

Rriten viktimat civile në Ukrainë

Raketat dhe dronët rusë goditën qytete ukrainase me zjarr vdekjeprurës gjatë fundjavës.

Mes 13 viktimave të raportuara ishin edhe tre të mitur – të moshës 8, 12 dhe 17 vjeç – në rajonin veriperëndimor të Zhytomirit, larg vijave të frontit.

Por, kryeqyteti, Kievi, dukej se ishte objektivi kryesor i sulmeve të fundit, ndonëse edhe qytete të tjera u përballën me sulme ajrore.

“S’ka qenë kurrë kështu më parë. Dhjetëra shpërthime. Jo 10, jo 15 – por pa fund. Dëgjon zhurmën në qiell dhe pastaj – bum! Dhe, ne thjesht presim për atë që vjen më pas”, tha Oleh, një pensionist në Mykolayiv, për Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë, pas sulmeve të 25 majit.

“Dyshojmë se [një dron] ishte nisur për të goditur një fabrikë afër, por u rrëzua dhe ra mbi një shtëpi. Shpërthimi ishte i tmerrshëm. Në atë moment ishim në kuzhinë. Vrapuam në korridor dhe u strukëm atje. Ishte vërtet e frikshme”, shtoi ai.

Detajet e ofruara nga të dyja palët nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Radio Evropa e Lirë është praktikisht e ndaluar në Rusi dhe nuk mund të operojë atje. Ekipet e saj në Ukrainë raportojnë rregullisht për sulme vdekjeprurëse ndaj objektivave civile në të gjithë vendin.

“Pa një presion të fortë ndaj udhëheqjes ruse, kjo brutalitet nuk mund të ndalet. Sanksionet do të ndihmonin patjetër”, tha Zelensky.

Ukraina dhe disa vende evropiane kanë bërë thirrje për forcimin e regjimit ekzistues të sanksioneve ndaj Rusisë nëse Moska nuk pranon një armëpushim 30-ditor të propozuar nga SHBA.

Por, Trump ka qenë hezitues në këtë drejtim, duke lavdëruar një telefonatë të fundit me Putinin, gjatë së cilës lideri rus nuk pranoi ndonjë ndalim të luftës. /REL/