Presidenti amerikan, Donald Trump ka bërë të ditur se është i gatshëm ta nënshkruajë një dekret presidencial i cili do të lejonte që fjala ose termi “Soccer” të zëvendësohet me atë “Football” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Amerikanët në fakt termit “Football”, që i referohet sportit më të ndjekur dhe më të famshëm në glob i thonë “Soccer”, ndërsa “American Football” i referohen sportit të ngjashëm me ragbin, shkruan “Gazeta Express”.
Mirëpo, Trump ka bërë të ditur se mund ta nënshkruajë një urdhër ekzekutiv që ta ndryshojë këtë emër.
“Ata i thonë futboll, ndërsa unë mendoj se ne i themi ‘soccer’. Çka nëse e bëjmë një urdhër ekzekutiv që edhe ne t’i themi ‘football’”? Unë mendoj se mund ta bëjmë këtë. Mendoj se unë mund ta bëj këtë”, deklaroi Trump.
Së fundmi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u mbajt Botërori i Klubeve dhe gjithçka shkoi mirë në këtë eveniment, përpos motit që ishte shumë i nxehtë.
Dita-ditës, futbolli po bëhet më i famshëm, më i popullarizuar dhe më i dashur në Amerikë.
Madje, në vitin tjetër pikërisht në SHBA, në Kanada dhe në Meksikë do të mbahet Kampionati Botëror i futbollit. /Gazeta Express